Përshkallëzohen protestat, incidente te Ministria e Arsimit, në Durrës e Vlorë
Protestat kundër qeverisë janë shoqëruar me tensione dhe incidente në disa qytete të Shqipërisë, ku pjesëmarrësit kanë dëmtuar ambiente publike, ndërsa policia ka ndërhyrë në disa raste. Nga Tirana në Durrës e Vlorë, situata ka marrë një tjetër drejtim, krahas marshimeve dhe thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në Tiranë, tensionet janë shfaqur para Ministrisë së Arsimit, ku disa protestues me fytyra të mbuluara kanë shkulur kangjellat metalike përgjatë trotuarit dhe i kanë zhvendosur në mes të rrugës, duke penguar qarkullimin. Gjatë incidenteve janë hequr edhe pllaka nga trotuari pranë godinës së institucionit.
Durrës, thyhen xhamat e Postës, 25 persona të shoqëruar
Situata është tensionuar edhe në Durrës, ku protesta e të rinjve kundër qeverisë është shoqëruar me dëmtime në një godinë të Postës. Sipas raportimeve, një grup protestuesish ka thyer xhamat e jashtëm të filialit, duke sjellë ndërhyrjen e policisë.
Marshimi kishte nisur rreth orës 11:30 në qendër të qytetit, pranë sheshit “Liria”, ku të rinjtë ishin mbledhur në kuadër të ditës së pestë të protestave. Pas incidentit, efektivët ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll dhe shoqëruan 25 persona në komisariat, mes tyre edhe tre të mitur.
Ndërhyrjet policore vijuan edhe në rrugicat përreth, ku efektivë me uniformë dhe punonjës me rroba civile ndoqën protestuesit. Lëvizjet krijuan vështirësi edhe për qarkullimin në disa zona të qytetit.
Vlorë, tentativë për të hyrë në Muzeun Hebraik
Incidente janë raportuar edhe në Vlorë, ku disa protestues kanë tentuar të futen me forcë në ambientet e brendshme të Muzeut Hebraik. Policia ka ndërhyrë për të penguar hyrjen dhe për të kontrolluar situatën, ndërsa disa pjesëmarrës janë shoqëruar.
Deri në momentin e raportimit, nuk kishte të dhëna zyrtare për numrin e saktë të personave të shoqëruar apo për dëme të mundshme materiale në ambientet e muzeut.
Elbasan, të rinjtë u bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen
Ndryshe nga incidentet e raportuara në qytetet e tjera, në Elbasan të rinjtë kanë vijuar marshimin përgjatë bulevardit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrësit janë mbledhur në sheshin kryesor dhe kanë marshuar duke brohoritur “Rama ik”. Megjithëse numri i protestuesve ka qenë i kufizuar, ata u janë drejtuar edhe qytetarëve që qëndronin në lokalet përgjatë bulevardit, duke i ftuar të lënë kafenetë dhe t’u bashkohen protestave.
“Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne”, kanë thirrur të rinjtë gjatë marshimit.
Protestat po zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, me kërkesa për largimin e qeverisë dhe me pjesëmarrje të të rinjve në disa qytete. Ndërsa tubimet vijojnë, incidentet e raportuara në Tiranë, Durrës dhe Vlorë kanë sjellë ndërhyrjen e policisë dhe dëmtime në ambiente publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


