Personeli shëndetësor ende nuk ka marrë pagën e dhjetorit!
Mjekë, infermierë, sanitarë, përgjegjës shërbimesh dhe i gjithë personeli shëndetësor vijojnë të jenë në krye të detyrës, pa ndërprerje, edhe në kushte emergjencash civile, edhe gjatë festave të fundvitit. Por, pavarësisht sakrificës dhe përgjegjësisë së tyre, paga e muajit dhjetor 2025 ende nuk është kaluar.
Një situatë skandaloze që po kthehet në turp institucional.
Denoncimi i mbërritur në redaksi ngre alarmin për një problem që nuk është individual, por prek të gjithë sistemin shëndetësor, duke nisur nga QSUT dhe, sipas burimeve, edhe spitalet e tjera në mbarë vendin. Punonjësit e shëndetësisë raportojnë se, sa herë pyesin për pagat që u takojnë me ligj, përballen vetëm me heshtje dhe injorim nga institucionet përgjegjëse.
“Na kujtojnë vetëm për fotografi dhe propagandë. Kur vjen puna te paga, që është e drejtë ligjore dhe jetike për familjet tona, nuk ka asnjë përgjigje”, thuhet në denoncim.
Ndërkohë që qeveria flet për reforma, investime dhe slogane boshe, realiteti në terren është krejt tjetër: profesionistë që mbajnë mbi supe jetën e qytetarëve, por lihen pa pagesë dhe pa asnjë shpjegim zyrtar.
Shëndetësia nuk mbahet me postera, video promocionale apo deklarata politike. Ajo mbahet me dinjitet, përgjegjësi dhe respekt për ata që punojnë çdo ditë në kushte të vështira për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Heshtja e institucioneve përballë kësaj situate vetëm sa e thellon skandalin. Zëri i personelit shëndetësor nuk mund dhe nuk duhet të injorohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



