Pip piiiip! Ju flet Tirana zyrtare, Agjensi autokrate eventesh

Sonila Meço

Komuniteti Politik Europian (KPE) u krijua për të forcuar bashkëpunimin politik dhe strategjik midis vendeve evropiane, përtej kufijve të BE-së. Ai u propozua nga Presidenti francez Macron dhe u mbajt për herë të parë më 6 tetor 2022 në Pragë.
Pra, KPE nuk është një institucion i BE-së, nuk ka asnjë fuqi vendim-marrëse as për integrimin e zgjerimin, por mbetet një forum politik diskutimesh për të forcuar unitetin evropian në një kohë krize, sigurinë dhe mbrojtjen sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë, pavarësinë e furnizimit me energji nga Rusia, përballimin e problemeve me emigracionin dhe problemet e lidhura me të.

Platforma me 44 vende e propozuar për dialog politik u krijua për të përfshirë Europën gjeografike edhe jashtë BE-së për sa kohë s’mund të kish anëtarësim të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sa kohë Mbretëria e Bashkuar mbetet jashtë pas BREXIT, për sa kohë Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia mbeten nën presionin Rus.
Samitet e mëhershme qysh nga krijimi në vitin 2022 të Komunitetit Politik Europian janë mbajtur në:

Pragë, Moldavi dhe Spanjë. Shpërndarje logjike gjeopolitike. Kësaj here në Tiranë, jo sepse Shqipëria është në zemër të Europës, por në zemër të Ballkanit Perëndimor, me një rol thelbësor në stabilitetin e tij. Dhe mesazhi simbolik do të vlente konkretisht, pa asnjë ndikim teknik në proceset integruese, që u takojnë të tjera forumeve.
Përdorimi i termave nga kryeministri si “zemra e Evropës” është simbolik, jo teknik. Shqipëria nuk është në BE dhe nuk ka datë të qartë anëtarësimi.
Nëse Kryeministri si mjeshtër i propagandës thotë se “Shqipëria sot është më afër se kurrë më parë me Bashkimin Evropian.”, ky është krahasim emocional, jo teknik. Negociatat janë hapur formalisht, por kapitujt nuk janë realisht të hapur në shumicën e tyre. Shqipërisë i kërkohet vijueshëm në çdo raport ndërkombëtar (që gjendet edhe në skrivanitë e kancelerive perëndimore) të luftojë korrupsionin madhor e të gjithëpërhapur, të mos kontrollojë drejtësinë, të heqë dorë nga presioni ndaj mediave dhe të ndërtojë shtetin e së drejtës. Këto janë standardet për t’u plotësuar, jo deklaratat për konsum propagandistik.

Dhe Macron patjetër do të qe optimist për vijimin e idesë së tij, Komunitetit Politik Europian, megjithëse ndryshe nga propaganda e këtushme që sheh “integrimin” e Shqipërisë në çdo gjasë spektakli me video AI, përulje në gjunjë ndaj një kryeministreje me mandat vote demokratike e që sot mund të jetë në detyrë, por nesër e gjen veten të shkarkuar…pra ndryshe nga propaganda me piktura personale në mure ndërtesash me urdhër personal të liderit 12+ vjeçar, e vërteta është se Shqipëria mbetet narko-shtet i kriminalizuar dhe i kapur.

Po si atëherë ta lexojmë gjithë ç’ndodhi këto dy ditë?
Siç e lexon shtypi i lirë ndërkombëtar, siç pasqyrohet në mediat publike e të palobuara: Samiti ndodh në një kohë shumë të vështirë për Europën, që ka humbur luftën në Ukrainë. Të një Europe gjithnjë e më të dobët shtrydhur në morsë mes Amerike, Rusie dhe Kine, që i duhet të mbrojë konceptin fillestar të krijimit, atë që synonte paqen, bashkëpunimin ekonomik, shmangien e konflikteve, forcimim e tregut të përbashkët, lëvizjen e lirë dhe sidomos rritjen e ndikimit global të Evropës përmes unitetit politik dhe ekonomik.

Trandja e këtyre synimeve nuk sugjeron zgjerimin kur bashkësia ekzistuese po cedon në ekuilibrin e ri të forcave në botë. Dështimi me Ukrainën sapo e provoi. Demokracitë europiane po sprovohen, ndërsa autokracitë marrin zemër prej anomalive të demokracive europiane. Por në dobësimin e skajshëm të saj, Europës i duhet të flasë me një zë, duke u shfaqur stabël dhe jo e çartur e për këtë arsye kancelaritë flasin “ndryshe” nga shtypi i vendeve të tyre.
Për këtë arsye krijohen komunitete mbi BE, sepse BE do të thotë standard, por i shkelur një herë nuk e bëri Europën më të mirë. Përkundrazi, më të dobët. Dhe këtë shtetet europiane e dinë. Ndaj anëtarësim pa standarde s’ka më.

Ndërsa “stabilitet pa demokraci” u normalizua si filozofi për t’i mbajtur me të mira ca vende që lehtësisht mund të anonin në anë të kundërt të interesave europiane.
Ndaj kur Macron sot nga një forum ekonomik në Tiranë, (ku pjesmarrës janë edhe drejtues autokracish, si dje në Komunitetin Politik Europian, por ndryshe nga të djeshmit këta të sotmit janë ndër më të fuqishmit në botë) do të përsëriste një paragraf të thënë edhe në forumet e Davos-it se “modele të tjera jo domosdoshmërisht demokratike po duken më efikase në një botë gjithnjë e më të polarizuar dhe të ndërlikuar.”, shtypi ndërkombëtar reagoi duke analizuar se Macron është duke u justifikuar për kompromiset që edhe vetë Franca ka bërë. Dhe kjo nuk është retorikë që ndihmon vendet si Shqipëria, përkundrazi shkruante një gazetar francez, kjo çon ujë në mullirin e çdo autokrati që do të thotë “shihni, edhe Macron e pranon që demokracia është e ngadaltë.” Kë të dëgjojmë atëherë? Po Macron thotë se mënyra e funksionimit të demokracive europiane duhet të rishihet drejt forcimit të tyre për t’u bërë edhe efikase.

Kjo nuk është thjesht një analizë, por një sinjal i dyfishtë, që mund të keqinterpretohet ose keqpërdoret lehtësisht nga propaganda në vende si Shqipëria. Të cilën shtypi i vendit të Macronit e quan autokraci, narko-shtet.

Pjesa ku thotë se modelet jo-demokratike po shfaqen më efikase, rrezikon të sublimojë atë efikasitet ku vendimet merren shpejt dhe pa diskutime të gjata demokratike, pa transparencë, pa respekt për të drejtat e njeriut. Dhe këtu koha po provon se edhe Meloni, Starmer e ndoshta Macron do të përfitojnë nga vetofrimi i kryeministrit shqiptar “vet zot e vet shkop” për ta mbushur Shqipërinë me kampe e burgje të padëshiruarish në Europë.
Për Shqipërinë ky vlen si justifikim për manipulimin e proceseve demokratike, kontrollin e medias dhe frenimin e opozitës.
Për autoritarët e brendshëm, kjo është “pistë e artë” për të thënë: “Shikoni, edhe Europa e pranon se modeli im është më efikas. Ndaj opozita e çdo lloji, nuk është alternativë”
Dhe kësisoj “hallet” e Europës shkarkohen më lehtë në autokracitë si e Shqipërisë.
Por në thelb ajo që Macron thotë është se ndonëse regjimet autoritare mund të duken më efikase në afat të shkurtër, demokracitë ofrojnë një stabilitet dhe legjitimitet më të qëndrueshëm në afat të gjatë.

Ky është një fjalim i diplomacisë, që mbron interesat e vendeve europiane me vetofrimin e një lideri autokrat, që përmbush parimin “stabilitet mbi demokraci”. Derisa lideri autokrat garanton stabilitetin, që Europës së drobitur mos t’i shtohen telashet e dështimit në Ukrainë, në ekonomi, në emigracion, në unitet, në komunikimin me “një gjuhë”, karshi Trump-it të paparashikueshëm dhe Putinit të vendosur.
Atëherë kush e sfidon “stabilitetin” me kaq kosto për shqiptarët me një alternativë, që nuk krijon lider absolut që mban peng një Shqipëri të bërë copë pas fasade, por një vend normal edhe stabël, edhe me shtet ligjor, Shqipëri prodhuese e kontribuuese për Europën, jo “ishull” shkarkimi i saj? A mundet dot opozita (politike, shoqërore) e një vendi të kriminalizuar në qelizë të bindë se është më efikase, më e mirë për Europën një Shqipëri me standarde, me cilësi jete, me shtet ligjor? Se nuk mund të jetë më pro europian një autokrat se një pushtet demokratik?

Problemi është se në vende si Shqipëria, reformat duhet të jenë radikale për të pastruar sistemin nga korrupsioni dhe krimi. Për të ndërtuar shtetin ligjor.
Duke vënë “efikasitetin” mbi lirinë, kancelarët europianë zgjidhin problemet afatshkurtra elektorale me popujt e tyre, por problemin me autoritarizmin e kanë shqiptarët. Një autokraci si agjensi eventesh, që po i ngop me spektakël si anestezi për halle mbi krye. Që u përkëdhel sedrën e nëpërkëmbur të trajtimit si qytatarë të dorës së dytë e të tretë në Europë, por i mban të tillë në vendin e vet.

Dhe për këtë mjafton të dëgjosh boritë e dëshpëruara për çlirim trafiku nga njerëz të frustruar e të ngecur në dekorin e one man show.

Publikuar nga Publik Media