Pitbulli” i kokainës: Kush është Sokol Bibaj, lidhja me “Salvadoren”
Sokol Bibaj, i njohur me nofkat “Gus”, “Gusti” dhe “Pitbull”, është një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të hetimit të SPAK-ut për një grup të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Bibaj dyshohet për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Emri i tij figuron në të njëjtën dosje me Shpëtim Aliun, të njohur si “Salvadore”, Dritan Gjikën, Denis Matoshin, alias “Eldi Dizdari”, Nikoll Bibajn, Isa Aliun, Florjan Musajn, Naldi Yzeirajn, Armando Pacanin dhe Oklid Aliun.
Lidhja me Shpëtim Aliun
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, Sokol Bibaj dyshohet se kishte një rol të rëndësishëm në organizimin e aktivitetit kriminal dhe se siguronte kokainën nëpërmjet Shpëtim Aliut.
Aliu është arrestuar në Rusi pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit mbështetet në komunikimet e zhvilluara në platformën e enkriptuar Sky ECC. Sipas SPAK-ut, analizimi i këtyre bisedave ka ndihmuar në identifikimin e kontakteve dhe lidhjeve ndërmjet personave të dyshuar.
Bibaj përmendet në disa episode që lidhen me sigurimin dhe transportimin e sasive të dyshuara të kokainës.
Në dosje edhe vëllai i tij
Në hetim është përfshirë edhe vëllai i Sokol Bibajt, Nikoll Bibaj, i njohur me nofkat “Buci” dhe “Ujku”.
Një prej episodeve të përshkruara nga hetuesit lidhet me një komunikim zanor të 31 majit 2020. Sipas dosjes, Sokol Bibaj i ka treguar të vëllait se autoritetet kishin shpërndarë fotografinë e tij në Shkup dhe kishin arritur ta identifikonin.
Gjatë bisedës ai ka folur edhe për një ndalim të mëparshëm, ndërsa ka pretenduar se informacionet për të ishin përcjellë nga një ish-punonjës i strukturave që hetonin krimin e organizuar.
Pesë episode nën hetim
SPAK po heton pesë episode kryesore të dyshuara të trafikut të narkotikëve. Sipas versionit të Prokurorisë së Posaçme, në drejtimin e grupeve të përfshira dyshohet se kanë qenë Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, ndërsa Shpëtim Aliu dyshohet se siguronte lëndën narkotike.
Hetimi është shtrirë edhe te gjurmimi i parave që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas akuzës, një pjesë e tyre është futur fizikisht në Shqipëri, pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar.
Të ardhurat dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe në aktivitete ekonomike, përfshirë kompani tregtare, ndërtim, hoteleri dhe shërbime konsulence.
Hetimet për dokumentimin e plotë të skemës financiare, burimin dhe destinacionin e parave, si dhe rolin konkret të secilit person të përfshirë, vijojnë. Personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



