Plagoset minatori i kompanisë “Tete Albania” në minierën në Spaç
Një aksident i rëndë në punë është regjistruar në minierën e bakrit në zonën e Spaçit, ku një minator ka mbetur i plagosur gjatë aktivitetit në galeritë e nëntokës.
Sipas të dhënave paraprake, punonjësi me inicialet E.Gj., i cili ishte i angazhuar në minierë nga kompania Tete Albania Tunnel & Mining, është lënduar gjatë procesit të punës në galeri. Rrethanat e sakta të incidentit nuk janë sqaruar ende plotësisht, ndërsa pas ngjarjes ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rënduar.
Rasti është bërë publik nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila reagoi duke ngritur shqetësime serioze për kushtet e sigurisë në këtë aktivitet minerar.
Sipas sindikatës, situata në minierën e Spaçit është problematike prej kohësh dhe aksidenti nuk konsiderohet një incident i izoluar, por pasojë e një sistemi pune që, sipas tyre, shkel vazhdimisht standardet e sigurisë dhe mbrojtjes së jetës në vendin e punës.
Në reagimin e saj, konfederata thekson se punëtorët shpesh detyrohen të kryejnë detyra jashtë profesionit apo përgatitjes së tyre profesionale dhe fizike. Gjithashtu, sipas denoncimeve të përsëritura të punonjësve, në minierë mungon personeli i specializuar për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndërsa strukturat që duhet të mbikëqyrin rreziqet dhe të garantojnë standardet ligjore nuk funksionojnë siç parashikohet.
Sindikata pretendon se masat parandaluese janë minimale ose pothuajse të papranishme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për punëtorët që operojnë në galeritë e minierës.
Po ashtu, organizata ka ngritur shqetësime edhe për rolin e institucioneve shtetërore që duhet të mbikëqyrin respektimin e ligjit në sektorin minerar. Sipas tyre, kontrollet e kryera nga autoritetet përgjegjëse shpesh janë formale dhe nuk garantojnë mbrojtjen reale të jetës dhe shëndetit të minatorëve.
Konfederata thekson se punëtorët që kanë denoncuar shkeljet janë përballur me presion psikologjik, kërcënime dhe në disa raste edhe me largim nga puna.
Një nga rastet më të përmendura nga sindikata lidhet me grevën e zhvilluar në tetor të vitit 2025, pas së cilës 61 minatorë u pushuan nga puna. Sipas tyre, ky vendim përbën një goditje të rëndë ndaj të drejtave sindikale dhe krijon një precedent shqetësues për mbrojtjen e punëtorëve në sektorin minerar.
Sipas informacioneve të bëra publike nga sindikata, minatori i plagosur ishte me profesion sondist, por kishte përfunduar duke punuar si minator për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në minierë, pas largimit të shumë punonjësve nga puna.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë kërkon tashmë nisjen e një hetimi të menjëhershëm, të plotë dhe transparent për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, si dhe vendosjen e përgjegjësive konkrete për kompaninë dhe institucionet që kanë detyrimin ligjor për të mbikëqyrur aktivitetin minerar.
Sindikata kërkon gjithashtu transparencë të plotë mbi mënyrën e operimit të kompanisë në këtë minierë, përfshirë procesin e licencimit, respektimin e detyrimeve ligjore dhe deklarimin real të shfrytëzimit të mineraleve që shoqërojnë nxjerrjen e bakrit.
Në reagimin e saj, konfederata paralajmëron se do të vazhdojë të denoncojë çdo shkelje që cenon sigurinë dhe të drejtat e minatorëve, duke theksuar se jeta e punëtorëve nuk mund të vihet në rrezik për interesa ekonomike apo për shkak të bashkëpunimeve të dyshimta mes kompanive dhe segmenteve të administratës shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



