’Po folët, ju gropos’, gazetari ‘zbërthen’ mesazhin e koduar të Vlora Hysenit
Gazetari Artan Hoxha deklaron se reagimi i ish-drejtores së SHISH ndaj Klodiana Lalës nuk ishte rastësor
Gazetari Artan Hoxha foli në emisionin “Kjo Javë”, edhe për përplasjen e ndodhur mes ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares Klodiana Lala.
Hoxha tha se e mbështet publikisht kolegen e tij dhe e konsideroi reagimin e Hysenit si një veprim që, sipas tij, shkonte përtej përplasjes me një gazetare të vetme. Ai ngriti hipotezën se sulmi ndaj Lalës mund të kishte shërbyer edhe si mesazh për pjesën tjetër të medias.
Hoxha: “Unë e mbështes kolegen dhe gazetaren Klodiana Lala”
Duke komentuar momentin kur Hyseni u shfaq në ambientet e SPAK-ut dhe iu drejtua gazetares Klodiana Lala, Hoxha shpjegoi fillimisht se çfarë procedure po zhvillohej.
Nisida Tufa: Zonja Hyseni ditën e enjte, aty ku të gjithë shkojnë në SPAK, largojnë pak me dorë mikrofonat e shumtë të kolegëve gazetarë që ju drejtohen. Të gjithë futen dhe më pas dalin pa thënë asnjë fjalë, të paktën çfarë kemi parë deri tani. Zonja Hyseni zgjodhi të atakojë gazetaren Klodiana Lala. Shumë është folur, shumë është komentuar. Dua të të pyes ty, si e përcolle së pari atë seancë aty?
Artan Hoxha: Ajo aty quhet verifikimi i kushteve të masës. Sigurisht që masa është marrë. Pra, komunikimi është bërë aty. Të pyesin vetëm emrin e nënës, emrin e babait. Të pyesin çfarë mund të thuash ndonjë gjë, po, si të thuash, nuk është se ka ndonjë vlerë. Unë e mbështes kolegen dhe gazetaren Klodiana Lala dhe e inkurajoj për detyrën që bën.
Jam në mbështetje të saj. Çfarëdo lloj gjëje, po marrin të mirëqenë që shefja e shërbimit ka një informacion…Gazetarët takojnë gjithkënd. Po problemi është si e nxjerrin informacionin gazetarët. A është i vërtetë apo s’është i vërtetë? Në qoftë se do merrem me perceptimin, në qoftë se mua më kanë çuar në SPAK se kam nxjerrë Edi Ramën me një person që dënohet me burgim të përjetshëm, tani ku është krimi këtu?! Tani, në rastin konkret, Klodiana Lala është duke bërë detyrën e vet. Detyra e vet është që të pyesë. Mund të pyesë këdo.
Por unë mendoj që shefja e Shërbimit ishte në gjendje kaq të rënduar dhe unë më tepër mendoj që ajo dëshmoi që nga ana profesionale ka qenë shumë e dobët. Tani, a ishte ky një presion dhe një shantazh për të gjithë, në momentin që Klodiana Lala i drejton një pyetje, ajo zonjë mund të përgjigjet ose mund të mos përgjigjet.
Por ajo e kishte të menduar dhe, duke agresuar, ka shumë mendime që ajo mund ta ketë bërë këtë për t’i çuar mesazh dikujt tjetër. Unë mendoj që ajo e ka bërë aty thjesht për të agresuar Klodiana Lalën dhe nëpërmjet asaj të gjithë gazetarët e tjerë.
Duke u thënë; “unë kam informacion për të gjithë ju dhe po folët, unë do t’ju gropos”. Ajo e ka ditur shumë mirë që në këtë moment, nëse mediat do të heshtin, kjo histori do ta kalonte siç bëri Rama.
“Jo vetëm i ka rënduar, ajo u tregoi çdo homologu të vetë”
Në vijim të intervistës, Nisida Tufa e pyeti Hoxhën nëse përplasja me gazetaren Klodiana Lala mund t’ia kishte rënduar më tej pozitën Hysenit.
Nisida Tufa: Po, a ia ka rënduar pozitat vetes me këtë?
Artan Hoxha: Jo vetëm i ka rënduar. Ajo u tregoi çdo homologu të vetë se sa e dobët ka qenë. Ajo po shkonte për masë sigurie dhe ajo që bëri ndaj koleges Lala ishte jo thjesht presion, kaloi përtej.
Në fund të fundit, gazetarja është familjare, ka fëmijë, ka prindër, pra ajo mund të gjejë 1000 forma. E ka bërë sepse vëmendja e të gjitha kamerave ka qenë aty. Të gjitha televizionet ishin live. Ajo e dinte që ishte në çastin më të ndjekur dhe ishte personazhi më i ndjekur.
Dhe ajo pikërisht në këtë moment e ka sulmuar Klodin, për të konstatuar dhe vëmendja. Janë disa gjarpërinj të cilët të kafshojnë dhe tërhiqen dhe presin që helmi që ata hodhën të të lërë ty të vdekur dhe pastaj ata rikthehen. Kjo ka bërë të njëjtën gjë.
Kjo metodë që ka përdorur aty është fiks: kafsho, fut pigmentin dhe prit pastaj përpëlitjen e tjetrit. Dhe prandaj e mbështes dhe e inkurajoj.
Dhe më tepër se kolegëve i bëj thirrje publikut dhe qytetarëve; Ta keni parasysh që aty njerëzit që i shërbejnë më shumë qytetarit dhe interesave të qytetarit dhe publikut janë ata me mikrofon në dorë. U pëlqejnë ose s’u pëlqejnë. Kini në dorë pultin.
Përplasja Hyseni-Lala në qendër të debatit
Deklaratat e Hoxhës e vendosin përplasjen mes Vlora Hysenit dhe Klodiana Lalës në një kontekst më të gjerë të marrëdhënies mes gazetarëve dhe zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
Në intervistë, gazetari argumentoi se pyetjet e gazetarëve janë pjesë e funksionit të tyre dhe se reagimi ndaj tyre duhet të shihet në raport me interesin publik dhe të drejtën e medias për të kërkuar informacion.
Hoxha e cilësoi reagimin e Hysenit si një veprim që, sipas tij, mund të kishte një efekt përtej përplasjes konkrete me Lalën, duke e interpretuar si një sinjal potencial ndaj gazetarëve të tjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



