E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Poliçani kundër bashkimit me Beratin, paralajmërohen dorëheqje
Lajme

Poliçani kundër bashkimit me Beratin, paralajmërohen dorëheqje

Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka kundërshtuar me votë unanime projektligjin për ndryshimin e ndarjes territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.

Në një mbledhje të zhvilluar posaçërisht për këtë çështje, të 15 këshilltarët bashkiakë votuan kundër propozimit, duke e bërë të qartë qëndrimin e institucionit ndaj reformës së propozuar.

Mbledhja u drejtua nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Lulaj, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj.

Gjatë diskutimeve, Zotkaj kundërshtoi argumentet e përdorura për shkrirjen e bashkisë, duke deklaruar se ndryshimi i statusit të Poliçanit nuk duhet të bëhet pa marrë në konsideratë vullnetin e komunitetit.

“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, u shpreh Zotkaj, duke këmbëngulur se banorët e Poliçanit janë shprehur kundër bashkimit me Beratin.

Poliçani me 318 biznese, kundërshtojnë argumentet për shkrirjen

Një prej argumenteve të paraqitura nga kryebashkiaku lidhet me aktivitetin ekonomik të zonës. Sipas tij, në Poliçan operojnë aktualisht 318 biznese, ndërsa bashkia ka potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e turizmit malor dhe industrisë.

Sipas përfaqësuesve vendorë, këto të dhëna tregojnë se Poliçani ka kapacitete për të vijuar funksionimin si njësi administrative më vete.

Gjatë mbledhjes u prezantua edhe raporti i komisionit të ngritur për zhvillimin e dëgjesave publike me banorët.

Nga konsultimet e zhvilluara, sipas raportit, qytetarët kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj propozimit për shkrirjen e Bashkisë Poliçan, duke e konsideruar vendimin të padrejtë dhe në kundërshtim me interesin e komunitetit.

Këshilltarët paralajmërojnë dorëheqjen

Qëndrimi i Këshillit Bashkiak u ashpërsua edhe më tej në përfundim të mbledhjes.

Të 15 këshilltarët deklaruan se do të japin dorëheqjen nëse Parlamenti miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin e saj me Beratin.

Pas diskutimeve, projektligji për Ndarjen Administrative Territoriale, i cili parashikon ndryshimin e statusit të Poliçanit, u hodh në votim.

Rezultati ishte i qartë: 15 vota kundër dhe asnjë votë pro.

Kështu, Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka formalizuar kundërshtimin ndaj bashkimit me Beratin, ndërsa vendimi përfundimtar tashmë i takon procesit parlamentar dhe institucioneve përgjegjëse për ndryshimin e ndarjes administrative territoriale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.