Policia aksion në plazhin e Gjipesë; nën hetim 4 persona

Policia e Himarës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Në aksionin e sotëm blutë njoftuan se kanë nisur hetimet për katër persona të cilat kishin çadra dhe shezlongë, pa leje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 131 çadra dhe 268 shezlongë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me ndihmën e forcave policore të Kufirit, të FNSH-së, si dhe të Forcave Detare, ndërhynë nga deti, në gjirin e Gjipesë, për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Nga kontrollet u konstatua se shtetasit A. Z., B. Sh., G. S. dhe M. Sh., kishin zënë në mënyrë të paligjshme, sipërfaqe publike, nga 300 deri në 500 m² secili, në të cilat kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse dhe pa NIPT për ushtrimin e aktivitetit. 

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal ndaj këtyre katër shtetasve, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga nenet 200 dhe 180 të Kodit Penal. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 131 çadra dhe 268 shezlongë, të cilët u transportuan me ndihmën e mjeteve lundruese të Forcës Detare, për shkak të terrenit të vështirë tokësor.  

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, njoftoi policia.

Publikuar nga Publik Media