Policia dhunon me shkopinj gome reporterin medias së huaj
Një incident i rëndë është regjistruar gjatë protestës në Tiranë, ku efektivë të Policisë së Shtetit kanë shtrirë përtokë dhe kanë goditur me shkopinj gome një reporter të një medie të huaj.
Ngjarja ka ndodhur pranë Bankës së Shqipërisë, në një moment kur situata paraqitej e qetë. Sipas pamjeve të publikuara nga vendngjarja, disa furgonë policie mbërritën në zonë dhe efektivët ndërhynë ndaj personave të pranishëm, mes tyre edhe përfaqësues të mediave.
Gjatë ndërhyrjes, punonjësit e policisë rrethuan reporterin dhe e rrëzuan në tokë, duke e goditur me shkopinj gome. Gazetarët e tjerë që ndodheshin aty reaguan menjëherë, duke u kërkuar efektivëve të ndalonin dhunën dhe duke u bërë të ditur se personi ishte gazetar.
“Mos e prekni, se është i medias, është gazetar”, dëgjohen të thërrasin reporterët gjatë incidentit.
Pas disa momentesh, efektivët u larguan nga reporteri. Ky i fundit konfirmoi më pas për mediat se punonte si reporter për një media të huaj.
Ngjarja ngre shqetësime për sigurinë e gazetarëve gjatë mbulimit të protestave dhe për respektimin e të drejtës së tyre për të raportuar nga terreni. Prania e një gazetari në vendngjarje nuk e përjashton atë nga zbatimi i ligjit, por as nuk justifikon përdorimin e forcës ndaj tij për shkak të ushtrimit të detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



