Reagon policia e LEZHËS për VIDEO-SKANDALIN e policit
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, më datë 28 korrik 2025, në të cilën shfaqet një punonjës policie që dyshohet se konsumon lëndë narkotike. Në reagim thuhet se personi në fjalë, Inspektor Xh. T., është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, me vendim të formës së prerë.
Sipas njoftimit zyrtar:
- Para këtij rasti, punonjësi ishte nën masë disiplinore për sjellje të papërshtatshme dhe mosrespektim të uniformës, me vendim nr. 29, datë 24.04.2025.
- Ai ka qenë nën procedim disiplinor për braktisje detyre dhe mungesë të pajustifikuar prej më shumë se 7 ditësh, sipas ligjit për Policinë e Shtetit.
- Më datë 03.07.2025, me vendim nr. 127 të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, ndaj tij është vendosur masa “Përjashtim nga Policia”.
- Kjo masë është konfirmuar edhe nga Komisioni i Apelimit më datë 25.07.2025.
Pas publikimit të videos, strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe të Policisë së Shtetit kanë nisur verifikime të mëtejshme. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për procedura penale nëse provohet konsumimi i lëndëve narkotike në detyrë.
Policia e Shtetit thekson se është e vendosur të largojë nga radhët e saj çdo efektiv që abuzon me uniformën, shkel ligjin dhe cenon besimin e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



