Policia Kufitare e Sarandës me “dorë të hekurt” ndaj mjeteve turistike
Policia Kufitare e Sarandës ka ndërmarrë një operacion të zgjeruar kontrolli ndaj mjeteve lundruese turistike përgjatë vijës bregdetare, nga Qeparoi deri në zonën e Kataetos, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë gjatë sezonit veror.
Gjatë kontrolleve intensive të zhvilluara deri tani, autoritetet kanë vendosur 20 masa administrative për shkelje të ndryshme. Mes tyre përfshihen mungesa e dokumentacionit të detyrueshëm në bord, mos pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi, si dhe mungesa e mjeteve bazë të ndihmës së shpejtë.
Në këtë operacion janë angazhuar 7 mjete lundruese të Policisë Kufitare, përfshirë skafe dhe jet ski, si dhe 32 efektivë policie shtesë, të cilët i janë bashkuar strukturave ekzistuese në terren.
Sipas të dhënave zyrtare, në hapësirën detare që mbulohet nga Policia Kufitare Sarandë operojnë rreth 350 mjete lundruese turistike gjatë sezonit veror. Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me fokus respektimin e rregullave dhe garantimin maksimal të sigurisë për pushuesit dhe operatorët turistikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



