Merren në analizë komunikimet telefonike
Hetimet për kërcënimet e pretenduara ndaj drejtorit të Përgjithshëm të MCN, Endri Meksi, kanë hyrë në një fazë më të avancuar.
Burime pranë strukturave ligjzbatuese bëjnë me dije se janë siguruar dhe po analizohen të dhënat telefonike të tij, si dhe të personave që mund të kenë lidhje me rastin.
Ky zhvillim vjen pak javë pasi Meksi denoncoi publikisht mungesën e reagimit institucional ndaj presioneve dhe shantazheve që, sipas tij, kishin nisur prej disa muajsh. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se autoritetet po shqyrtojnë një periudhë relativisht të gjatë kohore, që mund të përfshijë deri në një vit komunikimesh, për të identifikuar çdo kontakt të dyshimtë.
Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë çështjen, duke shtuar veprimet hetimore dhe duke u fokusuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të kërcënimeve, të cilat dyshohet se mund të kenë natyrë shantazhi mediatik ose personal.
Ndërkohë, pritet që në vijim të ketë edhe marrje në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për rastin, ndërsa hetimet synojnë të dokumentojnë çdo element që lidhet me presionin e ushtruar ndaj drejtuesit të medias.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar të detajuar, por burimet konfirmojnë se çështja po trajtohet me prioritet, për shkak të ndjeshmërisë dhe profilit publik të personit të përfshirë.







