Policia “zbërthen” rrjetin e vjedhjeve në Tiranë e Krujë, 3 të arrestuar
Policia ka finalizuar tre operacione të koduara në Tiranë dhe Krujë, duke vënë në pranga tre persona të dyshuar për vjedhje të ndryshme. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjete, motoçikleta, biçikleta dhe monopatina.
Tre persona kanë përfunduar në pranga pas një sërë veprimesh hetimore të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Tiranës dhe Krujës, në kuadër të tre operacioneve të ndryshme për dokumentimin e rasteve të vjedhjeve.
Operacionet janë zhvilluar pas administrimit të kallëzimeve dhe informacioneve të referuara nga qytetarët, ndërsa hetimet kanë çuar në identifikimin e personave të dyshuar dhe dokumentimin e disa episodeve kriminale.
Në kuadër të operacionit të koduar “Navigator”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, u arrestuan dy persona, përkatësisht F. K., 51 vjeç dhe D. M., 37 vjeç.
Sipas hetimeve, dy të arrestuarit dyshohen se kanë qenë të përfshirë në vjedhjen e disa mjeteve të lëvizjes, mes tyre motoçikleta, biçikleta dhe monopatina, në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë veprimeve policore u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të cilat dyshohet se kanë origjinë nga vjedhje.
Një tjetër rast u dokumentua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilat finalizuan operacionin e koduar “October”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. K., 26 vjeç, i dyshuar për grabitjen me dhunë të një varëseje nga qafa e një shtetaseje në rrugën “Konferenca e Pezës”.
Nga hetimi i kryer pas ngjarjes dyshohet gjithashtu se 26-vjeçari mund të jetë autor i një tjetër episodi të vjedhjes me dhunë të ndodhur në të njëjtën zonë më 2 tetor 2026.
Ndërkohë, në Krujë u finalizua operacioni i koduar “Kilometrazhi”, i zhvilluar nga strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua Y. A., 38 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një automjeti në zonën e Rinasit.
Automjeti i raportuar i vjedhur u lokalizua më pas në Durrës, ku edhe u sekuestrua nga policia për qëllime hetimore dhe si provë materiale.
Strukturat policore bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse personat e arrestuar janë të përfshirë edhe në raste të tjera të vjedhjeve dhe për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e tyre të dyshuar kriminal.
Materialet procedurale për të treja rastet i janë përcjellë Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



