Pordhët me rigon të Ramës që nuk trembin dot studentët me paketa të dështuara anti-protestë
Edi Rama ka nisur ofensivën e re kundër protestuesve. Ngrys vetullat dhe thotë që do t’u marrë bursat studentëve, do t’u ngarkojë prindërve faturat e dëmeve, do të ulë moshën e përgjegjësisë penale dhe, sipas disa portaleve, do t’i fusë protestuesit edhe në lista të zeza që të mos hyjnë në Evropë.
Dhe për t’i bërë këto kërcënime sa më të frikshme, kanë hyrë në lojë edhe megafonët mediatikë të zakonshëm, si Tema e Bazes, mediat e Bollinos, ABC Njusi, që sajonte autobuza grekë me inteligjencë artificiale, Dritarja pik net e Dritanit të Rudinës e të tjerë të këtij kalibri. Për listën e zezë, disa prej tyre i publikuan lajmet brenda pak minutash nga njëri-tjetri, me të njëjtat burime anonime qeveritare. Dukej si ato spektaklet e notit të sinkronizuar.
Por çfarë është e gjithë kjo paketë anti-protestë? Popullorçe, është një pordhë e madhe me rigon! Pordha është kërcënimi, ndërsa rigoni ka formën e ca neneve të rregulloreve evropiane që ua hedhin përsipër kërcënimeve, për t’u dhënë aromë juridike. Le t’i marrim me radhë.
1. Së pari, ky muhabeti i dëmeve!
Rama thotë se prindërit do të paguajnë deri në fund për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre. Po kush konkretisht i ka shkaktuar këto dëme? Keni prova të pakundërshtueshme për emra konkretë, duke kryer dëmin? Deri tani na janë treguar kosha plehrash të djegur, semaforë të thyer e xhama të shkatërruar, por nuk na janë paraqitur provat se cili individ ka shkaktuar konkretisht secilin dëm dhe sa konkretisht kushton secili.
Kërcënimi duket sikur do të shpikë përgjegjësi kolektive, por në këtë vend nuk ekziston përgjegjësia kolektive vetëm sepse dikush ka qenë në protestë. Dhe dëmi duhet provuar e vlerësuar konkretisht, me prova. Pastaj do të bëhet ekspertimi. Madje, kur të vijë radha te ai koshi i plehrave apo semafori, të mos harrojnë që dëmi llogaritet sipas vlerës reale të riparimit apo zëvendësimit, jo automatikisht sipas çmimit që ka dalë në tender. Se ku i dihet, na del që një kosh plehrash i djegur kushton sa një makinë, vetëm sepse ashtu e ka blerë bashkia!
Por pjesa më e bukur është që, edhe nëse, për çudi, Rama gjen ndonjë video ku identifikohet konkretisht ndonjë individ duke shkatërruar, përsëri ai do të duhet ta provojë në gjykatë. Nuk mjafton të nxjerrë vetë një faturë nga Kryeministria. Duhet të provojë autorësinë, dëmin, lidhjen shkakësore dhe kushtet ligjore të përgjegjësisë. Dhe në cilën gjykatë do t’i çojë Rama këto padi? Te ato gjykatat e zakonshme ku përplasen përditë qytetarët, që, për shkak të reformës së tij madhështore në drejtësi, u zbrazën dhe hynë në krizë, prej së cilës duket se nuk do të dalin kurrë. Te ato gjykatat për të cilat Rama na thoshte: “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda”.
Tani, siç do të pyeste xha Beqoja te filmi Kapedani, te cila gjykatë do t’i çosh këto padi, te ajo me xham apo te ajo pa xham? Sepse paditë për dëmshpërblim, edhe sikur t’i kishin të gjitha provat, do të përfundojnë pas nja 10-15 vjetësh. Dhe nëse do të pretendonte përgjegjësi kolektive, qeveria do ta humbiste gjyqin me ceremoni pas 10-15 vjetësh.
2. Së dyti, bursat dhe shkollimi falas!
Rama paralajmëron se studentëve që kanë ushtruar dhunë do t’u hiqen bursat dhe mbështetja financiare.
Po kush e ka provuar se studenti X ka ushtruar dhunë? Polici që ka shkruar raportin e shërbimit? Apo Rama që bën sikur e ka parë nga televizori? Një akuzë nuk është vendim fajësie. Një masë ndëshkuese kërkon bazë ligjore, prova individuale dhe procedurë të rregullt gjyqësore. Dhe prapë gjyqi do të zgjasë me vite. Pa mbaruar gjyqi, nuk mund t’ia ndërpresësh bursën askujt. Derisa të mbarojë gjyqi, të gjithë e kanë mbaruar shkollën. Për më tepër, sanksionet e reja me natyrë penale nuk mund të zbatohen me fuqi prapavepruese për ngjarje të ndodhura përpara hyrjes së tyre në fuqi. Edhe kufizimet e reja administrative duhet t’i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë dhe proporcionalitetit. Pra, edhe ky është kërcënim kot.
3. Së treti, ulja e moshës së përgjegjësisë penale!
Le ta ulë sa të dojë për të ardhmen. Le ta bëjë që përgjegjësia penale të lindë që në moshën zero vjeç, nëse arrin ta miratojë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare. Por, prapë, për ngjarjet e kaluara nuk do t’i hyjë në punë. Ligji penal nuk ka fuqi prapavepruese.
4. Së katërti, lista e zezë e Evropës!
Kjo është pordha me më shumë rigon. Policia shqiptare nuk ka kompetencë të vendosë kush hyn në Schengen. Shqipëria nuk është pjesë e SIS dhe një listë në TIMS nuk kthehet automatikisht në ndalim hyrjeje në Evropë. Autoritetet evropiane kanë procedurat dhe kriteret e tyre, që nuk zëvendësohen nga raportet e policisë shqiptare. Aq më tepër që policia do të duhet t’i provojë në gjyq ato raportet paçavure që bën.
Ndër grimcat më aromatike të rigonit ishte edhe ai i Gazetës Tema, që na thoshte se pothuajse të gjithë të arrestuarit kanë deklaruar se dikush u ka paguar udhëtimet dhe hotelet. Unë dhe avokatë të tjerë, me të cilët kam qenë në kontakt këto ditë, nuk kemi parë deklarime të tilla nga të arrestuarit që kemi asistuar. Nuk e di ku i ka gjetur Tema këto deklarata.
Dhe pastaj erdhi edhe superperla e vetë Ramës, që edhe ai që rri në protestë me duart në xhepa, sipas tij, është njëlloj shënjestër e policisë si ai që kryen dhunë. Eh, mo zotëri! Pjesëmarrja paqësore në protestë mbrohet nga Kushtetuta dhe konventat. Fajësia penale është individuale. Përgjegjësia për dëmet kërkon prova. Nuk mund të dënohet dikush për veprimet e një tjetri vetëm sepse ndodhej pranë tij. Gjykata e Strasburgut ka nja katër dekada që e thotë këtë.
Pra, çfarë mbetet nga gjithë kjo paketë kërcënimesh?
Mbetet një tymnajë paralajmërimesh, ku përzihen dispozita ekzistuese, masa të reja ende të pamiratuara, kompetenca që qeveria shqiptare nuk i ka dhe përgjegjësi që duhen provuar individualisht, proces që do të kërkojë vite pa fund falë atij djepit bosh që la reforma në drejtësi.
Qëllimin e vërtetë e dinë autorët e kësaj strategjie. Por efekti intimidues është i qartë: t’u krijohet të rinjve frika se pjesëmarrja në protestë mund t’u kushtojë bursën, të ardhmen, pasurinë e familjes apo mundësinë për të udhëtuar në Evropë. Kjo tregon degradimin e qeverisë.
Kjo tregon degradimin edhe të bishtave mediatikë të pushtetit, që arrijnë deri këtu, duke shtuar një arsye më shumë për ta përbuzur këtë propagandë të ndyrë dhe matrapazët që ia servirin publikut si gazetari. Sepse këta nuk po bëjnë pyetjen elementare: “A mund të zbatohet ligjërisht ajo që po premton qeveria?” Po mjaftohen me amplifikimin e kërcënimeve. Kur pushteti lëshon një pordhë politike, këta nuk hapin dritaren, por i hedhin rigon, e paketojnë si lajm ekskluziv dhe ua shesin qytetarëve si aromë evropiane.
Por pordha mbetet pordhë. Dhe entourazhi mediatik që e parfumos është thjesht rigoni mbi një qeveri të degraduar, që po rrëshqet çdo ditë drejt daljes nga zorra e trashë e historisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



