Tenderi për ndërtimin e Portin te ri në Porto Romano shkon drejt gjykatës. Ky është reagim ndaj Komisionit të Prokurimit Publik të drejtuar nga Jonaid Myzyri, që i kërkoi zyrtarisht kompanisë belge “Jan De Nul nv” të paguajë 2 milionë euro, në mënyrë që të merrej në shqyrtim ankesa ndaj palës shqiptare të përfaqësuar nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Në mënyrë rutinë, KPP aplikoi nenin 94 të Ligjit për Prokurimet, që kërkon pagesën e tarifës së ankimimit. Në këtë rast, sipas vendimit përkatës të qeverisë, operatori ekonomik ankimues detyrohet të paguajë pranë Komisionit të Prokurimit Publik tarifën 0.5 % të vlerës së fondit limit, meqenëse ankesa paraqitet për vendimin e përzgjedhjes së kandidatëve pas fazës së parakualifikimit. Duke qenë se fondi limit është 399.674.730,64 Euro, tarifa që duhet paguar është afro 2 milionë Euro.
Lidhur me pagesën, fillimisht ka pasur një korrespondencë mes KPP dhe Autoritetit Portual Të Durrësit.
“Ju bëjmë me dije se për ankesën me nr. 970/2025 prot., datë 14 prill 2025, bashkimi i operatorëve ekonomikë
përfaqësuar nga Jan De Nul nv nuk ka paraqitur dokument bankar që vërteton kryerjen e pagesës për tarifën e ankimimit. Referuar shkresës suaj, Degës së Thesarit i është dërguar kërkesë për raportin e arkëtimeve të muajit prill 2025. Me datë 16.04.2025, Dega e Thesarit ka dërguar të dhënat e përditësuara për arkëtimet deri më datë 14.04.2025, ku rezulton se nuk është kryer pagesë në favor të Komisionit të Prokurimit Publik për ankesën e sipërcituar. Komisioni kërkon informacion nëse BOE “JAN DE NUL NV- SOLETANCHE BACHY INTERNATIONAL – VINCI CONSTRUCTION GEOINFRASTRUCTURE”, ka dorëzuar Formular Ankese pranë autoritetit tuaj kontraktor. Përsa më sipër kërkojmë nga ana juaj të paraqisni informacionin e nevojshëm pranë Komisionit të Prokurimit Publik brenda datës 18 prill 2025 dhe orarit zyrtar të punës”.
Më datë 17 prill 2025 (e protokolluar më datë 22 prill 2025) APD informon KPP se e ka trajtuar ankesën
e bashkimi i operatorëve ekonomikë përfaqësuar nga Jan De Nul nv dhe në përfundim ka vendosur refuzimin e saj, për shkak të moskorrigjimit të të metave të ankesës, ku nuk ka të bashkëlidhur mandat pagesën e tarifës përkatëse.
Më tej tregohet komunikimi me operatorin ekonomik nga Belgjika. “Referuar nenit 94, pika 5, ju lutem të paraqisni brenda dy ditëve nga marrja e këtij njoftimi mandat pagesën. Nëse ankesa nuk korrigjohet/plotësohet brenda këtij afati, ajo vlerësohet si e paparaqitur. Për pasojë, Autoriteti Portual Durrës ndodhet aktualisht në pritje të përfundimit të afatit të përfundimit të afatit të vënë
në dispozicion të ankimuesit, më saktësisht paraqitjen e mandat pagesës brenda afatit të caktuar (datë 18.04.2025) për të vijuar me hapat e mëtejshëm në lidhje me shqyrtimin e ankesës”, citohet shkresa dërguar firmës Jan De Nul.
Kompania belge është kundër kësaj pagese, pasi ligji nuk e parashikon tarifën në këtë fazë të tenderit.
Me datë 18.04.2025 lidhur me kërkesën e bërë për statusin e ankesës së bashkimi i operatorëve ekonomikë përfaqësuar nga Jan De Nul nv, ky i fundit ka dërguar një e-mail nëpërmjet sistemit elektronik të adresës së institucionit të KPP-së duke informuar ndër të tjera se: “…dëshirojmë të theksojmë se ankesa aktuale është paraqitur gjatë fazës së parakualifikimit dhe jo kundër një vendimi përfundimtar apo një vendimi të marrë pas
përfundimit të kësaj faze. Prandaj, bazuar në përmbajtjen dhe interpretimin e nenit nr. 236 të Kodit të Procedurës Civile, asnjë nga dispozitat e mësipërme nuk është e zbatueshme në këtë rast specifik dhe, rrjedhimisht,
nuk është e detyrueshme pagesa e tarifës së ankimit”.
Theksojmë se sipas Kodit të Procedurës Civile, mund të ngrihet padi me të cilën kundërshtohet refuzimi i miratimit të një akti administrativ që lihet pa u shqyrtuar në afatin e caktuar.
“Përveç kësaj, vazhdon arsyetimin kompania belge,-e konsiderojmë të nevojshme t’u informojmë se, objektivisht, nuk është e realizueshme për një konsorcium ndërkombëtar të kryejë një transfertë prej €2,000,000 në një llogari bankare shqiptare brenda afatit të dhënë. Transfertat me vlerë kaq të lartë kërkojnë disa nivele të miratimeve të brendshme, përfshirë nga departamentet e qeverisjes korporative dhe financiare, si dhe verifikimin e përputhshmërisë nga institucionet bankare procese të cilat janë në mënyrë të pashmangshme të zgjatura në kohë dhe
subjekt i kontrollit të shtuar sipas rregullave ndërkombëtare bankare. Ju lutemi që të merrni në konsideratë rrethanat e veçanta të këtij rasti dhe mbetemi nê dispozicionin tuaj për çdo sqarim apo dokumentacion shtesë që mund të kërkoni”.
Duke qenë se kompania belge në arsyetimin e saj i referohet Kodit të Procedurës Civile dhe jo vendimit të qeverisë për tarifat e ankimit, me të cilin mbështetet KPP, është e dukshme se çështja tashmë është në kompetencë fillimisht të Gjykatës së Apelit Administrativ.
Për më tepër. Dihet që KPP vepron si një seksion i zyrës s kryeministrit dhe nuk është papritur që ka marrë vendim që të mos e pranojë ankesën.
Vlerësimin e ofertave e bën djali i Valentina Leskajt
Autoriteti Portual Durrës (APD), nën drejtimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është angazhuar në detajimin e projektit teknik të Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano i cili do mundësojë fillimin e punimeve për infrastrukturën e re dhe rialokimin e aktiviteteve portuale në zonën industriale të Spitallës në Porto Romano. Për këtë qëllim, ADP ka lidhur një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve: kompaninë holandeze “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V.” me pronarë të pashpallur, kompaninë nga Abu Dhabi “ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C.” me pronar Ibrahim Al Dubaibe, firma “ABKONS” SH.P.K. me pronar Besnik Leskajn (djali i eksponentes së PS-së, Valentina Leskaj), “TAULANT” SH.P.K. me pronare Ditika Qatipin, “GEO-ENG” SH.P.K.”, me pronar Llambro Dunin. Kompania e fundit nuk ka marrë pjesë më parë në asnjë kontratë publike.
Këto kompani bëjnë përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve për trajtimin e ngarkesave. Në fakt, ky grup kompanish do zgjedh fituesin. Siç kuptohet nga përbërja e ekipit “konsulent” të vlerësimit të ofertave, tenderin e vendosin miqtë e Belindës dhe të Ramës, ndërsa holandezi dhe arabi janë aty për t’i dhënë vendimit pasaportë “ndërkombëtare” dhe të besueshme.
Më konkretisht, Autoriteti Portual Durrës, më 24 dhjetor 2024 ka organizuar tenderin “Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano – Faza I”.
Paratë janë siguruar me një akt normativ më 21 shkurt 2024, që ndryshonte buxhetin e shtetit dhe alokonte fondin për fazën e parë të ndërtimit të portit. Fondi Limit për këtë fazë është caktuar 39 320 000 000,00 lekë (pa TVSH).
Kush e përzgjodh dhe cilët u skualifikuan?
Ky është një tender rishpallur dhe procedura e prokurimit është mbajtur më 07 shkurt 2025. Sipas dokumenteve të tenderit, në këtë procedurë kanë dorëzuar propozimet 5 pjesëmarrës të huaj. Referuar të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik, reflektuar më datë 7 prill 2025 në procedurën e prokurimit janë kualifikuar 2 oferta.
Komisioni i kryesuar nga kompania holandeze kualifikoi për në fazën finale vetëm dy oferta: “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V.” nga Holanda dhe “Archirodon Construction” nga Greqia.
Parakualifikimi i tenderit për ndërtimin e Portit kishte dy faza. Faza e parë përfshinte hapjen e garës tenderuese, pjesë e të cilës ishte edhe zhvillimi i një terminali kontejnerësh me dy shtretër. Faza e dytë ishte e ajo e parakualifikimit, ku ofertuesit e mundshëm parakualifikohen me kusht që të plotësojnë kriteret për kapacitetin teknik dhe financiar. Me mbylljen e kësaj faze, nis faza finale, ajo e ofertimit në të cilën ofertuesit e parakualifikuar mund të dorëzojnë ofertën e tyre financiare.
Ndërkohë tri oferta të tjera u skualifikuan. Mes tyre ishte dhe ajo e bashkimit të përfaqësuar nga komapni belge “JAN DE NUL NV” me seli qendrore në Belgjikë. Skualifikimi duket i pambështetur, po të merret parasysh se të tria kompanitë janë të fuqishme dhe pjesëmarrëse në shumë projekte globale.
Në KPP mësuam se “Arsyet e skualifikimit janë mosgjetja, në dokumentacionin e paraqitur, të vërtetimit të punimeve të kryera për projektin “NRL – Echangeur & Digues; La Nouvelle Route du Littoral – La Réunion” ku të specifikohet përqindja e pjesëmarrjes në projekt të secilit pjesëmarrës, duke qenë se, projekti është realizuar nga një Joint Venture (J.V.). Gjithashtu, autoriteti njofton se Komisioni për Vlerësimin e Ofertave (KVO) nuk ka gjetur në dokumentacion, formularin e vlerësimit ose aktin e kolaudimit ose çertifikatën e marrjes në dorëzim”. Kështu operatori i huaj po përballet me marifetet e Belinda Ballukut. Nuk ka asnjë dokument që nuk mund të verifikohet mbi këtë autostradë bregdetare franceze që ka kushtuar afro 2.2 miliardë euro. Por duket se ka një vullnet politik për ta manipuluar tenderin, për t’ia dhënë kompanisë greke ose asaj holandeze. Kjo varet nga lobimet politike që bën kryeministri Rama pranë qeverive të dy vendeve të BE-së.
Pas fazës së parakualifikimit fillimisht rezultoi se bashkimi i operatorëve shqiptarë “Varaku E” SHPK & “Ndërtuesi 2014” SHPK, është skualifikuar. Po ashtu është skualifikuar kompania shtetërore kineze “China Communications Construction Company CCCC” dhe firma italiane “Webuild” S.p.A..
Duket se rruga e shpalljes së fituesit do të jetë e gjatë, ndërkohë, që nuk përjashtohet mundësia që çështja të përfundojë në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ku fati i keq e ka ndjekur gjithnjë shtetin tonë, për shkak arrogancës dhe arbitraritetit që shoqërojnë vendimet e kryeministrave.