Prapaskenat/ Proda do largohej edhe sikur të mos sulmohej Vila 31
Gazetarja Klodjana Lala ka zbuluar detaje mbi largimin nga detyra të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, një zhvillim që publikisht u paraqit si dorëheqje. Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” ajo tha se ky vendim ishte i pritshëm dhe i planifikuar prej kohësh.
Sipas Lalës, largimi i Prodës nuk lidhej vetëm me incidentin e ndodhur gjatë protestës së opozitës më 28 shkurt pranë “Vila 31”, por edhe me një sërë çështjesh të tjera që kishin krijuar tensione brenda institucioneve dhe në opinionin publik.
Ajo theksoi se ndaj ish-kreut të Policisë kishte pasur verifikime dhe hetime, përfshirë edhe çështje që lidhen me institucionin e AKSHI-t, ku përfliteshin edhe vartës të tij. Gjithashtu, sipas gazetares, në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe akuzat për lidhje me persona të përfshirë në aktivitete kriminale.
“Proda do të largohej edhe nëse nuk do të kishte ndodhur episodi te ‘Vila 31’. Kishte edhe çështje të tjera që po hetoheshin, përfshirë zhvillimet që lidhen me AKSHI-n dhe emra të përfolur në këtë histori,” u shpreh Lala.
Gazetarja shtoi se në Shqipëri kanë ndodhur edhe ngjarje më të rënda, por drejtuesit e Policisë nuk janë larguar nga detyra. Për këtë arsye, sipas saj, largimi i Prodës u përdor edhe si një mënyrë për të ulur tensionin politik dhe reagimet pas incidentit.
Ajo përmendi gjithashtu se kishte pasur reagime nga ambasadat e huaja në Tiranë lidhur me situatën gjatë protestës, duke theksuar se në zonën ku ndodhi incidenti ndodheshin edhe turistë të huaj.
Në analizën e saj, Lala ngriti edhe kritika për mënyrën se si Proda kishte menaxhuar strukturat e Policisë gjatë mandatit të tij. Sipas saj, kishte pasur raste kur efektivë të caktuar janë favorizuar me grada apo emërime në poste të rëndësishme pa meritë, ndërsa të tjerë janë larguar apo ulur në detyrë.
Gazetarja shtoi se në momentin kur u bë e qartë se do të largohej nga posti, Proda zgjodhi të paraqiste një dorëheqje formale. Sipas saj, përpara kësaj kishte pasur orë të tëra tensioni dhe lëvizje brenda strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



