E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Presion ndaj drejtësisë? Rama sfidon Gjyqtarët: Nuk do të hesht!
Lajme

Presion ndaj drejtësisë? Rama sfidon Gjyqtarët: Nuk do të hesht!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama thekson se nuk do të heshtë dhe nuk kursen ironitë ndaj sistemit gjyqësor.

“Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën dhe të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues,” shkruan Rama, duke shtuar se funksioni që ai mbulon, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e tij nga një prokuror dhe një gjykatës dhe rrezikon të dobësohet për të ardhmen.

Shoqata e Gjyqtarëve kishte reaguar duke akuzuar Ramën për presion politik ndaj Gjykatës Kushtetuese, pas pezullimit të Ballukut nga detyra për hetimet e SPAK mbi tenderat e Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë. Rama i përgjigjet duke kritikuar qëndrimin e Shoqatës, duke thënë se nuk është e drejtë të kërkohet heshtja e tij dhe duke e akuzuar për veprime që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Ai shton se Shoqata e Gjyqtarëve gabon edhe për kërkesën e saj për rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, duke pretenduar një rritje prej 1600 eurosh mbi pagën aktuale. Rama thekson se qeveria e tij mirëpret çdo dialog institucional, por e paralajmëron Shoqatën se pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur nga çdo ndërhyrje, qoftë e jashtme, qoftë e brendshme, duke përfshirë papërgjegjshmërinë e gjyqtarëve që cenon besimin e publikut.

Reagimi i plotë:

Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.