Probleme masive me Facebook dhe Instagram
Mijëra përdorues të Facebook dhe Instagram janë përballur mëngjesin e së dielës me probleme serioze në aksesimin e platformave, kryesisht në versionin desktop, ku është shfaqur mesazhi: “Account Temporarily Unavailable”.
Sipas raportimeve të shumta, përdoruesit nuk kanë mundur të hyjnë në llogaritë e tyre për shkak të një problemi teknik që lidhet me vetë sistemin e rrjetit social. Ndërkohë, në disa raste aplikacionet mobile dhe versioni Facebook Lite kanë vijuar të funksionojnë normalisht.
Fluksi i ankesave është reflektuar edhe në platformat që monitorojnë ndërprerjet online, ku është regjistruar një rritje e menjëhershme e raportimeve. Përdorues nga vende të ndryshme kanë konfirmuar se po hasin të njëjtin problem, çka tregon për një defekt të përhapur globalisht.
Deri në këto momente, kompania Meta nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me shkakun e ndërprerjes apo kohëzgjatjen e saj. Megjithatë, mesazhi i shfaqur sugjeron se bëhet fjalë për një problem të përkohshëm teknik, i cili pritet të zgjidhet në një kohë të shkurtër.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit të shmangin tentativa të shumta për hyrje dhe të presin rikthimin normal të shërbimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



