Probleme teknike në trafikun ajror në Itali, anulohen disa fluturime nga dhe drejt Tiranës
Problemet teknike të konstatuara në sistemet e kontrollit të trafikut ajror në Itali kanë sjellë anulimin e disa fluturimeve nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), anulimet kanë prekur linjat ajrore drejt dhe nga Milano (Malpensa), Torino, Verona, Piza, Rimini dhe Gjenova. Arsyeja është kufizimet e vendosura në hapësirën ajrore italiane.
Aeroporti i Tiranës bën me dije se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse. Qëllimi është të ndiqet zhvillimi i situatës dhe të minimizohet ndikimi te pasagjerët e prekur nga anulimet.
Këshilla për pasagjerët
Ndërkohë, pasagjerëve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt ose nga Italia u rekomandohet të kontrollojnë rregullisht njoftimet zyrtare të kompanive ajrore për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimeve të tyre.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës thekson se siguria dhe mirëqenia e pasagjerëve mbeten prioritet. Ndërsa situata po ndiqet në bashkëpunim me palët përgjegjëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



