Problemet me furnizimin me ujë, shkarkohet kreu i UKT Tiranë
Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, është shkarkuar nga detyra si pasojë e situatës së rënduar dhe problemeve të vazhdueshme me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Vendimi vjen pas një vale të gjatë ankesash nga qytetarët, të cilët prej muajsh kanë raportuar mungesë të theksuar të ujit në banesat e tyre, në shumë zona të Tiranës. Sipas denoncimeve, situata jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar gradualisht, duke u shndërruar në një problem serioz për jetën e përditshme.
Pakënaqësia është shtuar edhe për faktin se mungesat e ujit kanë vijuar edhe gjatë sezonit të dimrit, pavarësisht reshjeve të shumta të shiut. Kjo ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën e menaxhimit të burimeve, veçanërisht duke pasur parasysh se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit për Tiranën, ka qenë në nivele normale dhe pa sinjale alarmi sa i përket kapacitetit.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj situatës, duke shprehur kritika të ashpra për drejtimin e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë. Ai e ka cilësuar gjendjen e krijuar si pasojë të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë institucionale.
Deri në këto momente, nuk është bërë e ditur se kush do ta marrë drejtimin e institucionit pas shkarkimit të Drenovës, ndërsa pritet që autoritetet të paraqesin në ditët në vijim një plan konkret për përballimin dhe zgjidhjen e krizës së furnizimit me ujë në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



