Projekti TID, banorët e prekur sërish protestë në Bashkinë e Durrësit
Banorët e prekur nga projekti TID janë mbledhur edhe këtë të mërkurë përpara Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar më shumë qartësi dhe transparencë mbi mënyrën se si po zhvillohet projekti dhe procedurat që po ndiqen nga institucionet.
Ndryshe nga një ditë më parë, këtë herë një përfaqësi e tyre u prit në një takim nga drejtoresha ligjore e bashkisë, Alneida Rroshi, ku u diskutuan shqetësimet kryesore të komunitetit.
Pas përfundimit të takimit, arkitektja Entela Koja, në cilësinë e përfaqësueses së banorëve, bëri të ditur se autoritetet vendore kanë nisur një rivlerësim të plotë të objekteve në zonë, si edhe verifikimin e statusit ligjor të tyre, përpara se të procedohet me miratimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimet.
Sipas saj, një ndër kërkesat kryesore mbetet përfshirja e Ministrisë së Kulturës në proces, përmes ngritjes së një grupi pune që do të evidentojë në mënyrë të saktë të gjitha pronat që preken. Ajo theksoi se banorët nuk janë kundër zhvillimit, por kundërshtojnë ndërhyrjet e panevojshme që mund të çojnë në prishje të padrejta.
Ndërkohë, banorët bëjnë me dije se rreth 20 familje pranë zonës së amfiteatrit kundërshtojnë projektin në formën aktuale, duke argumentuar se në fazat fillestare nuk është bërë një verifikim i plotë dhe i saktë i pronave dhe objekteve që preken nga ndërhyrja.
Ata shprehen se mungesa e informacionit të detajuar dhe ndryshimet e bëra gjatë rrugës kanë krijuar pasiguri, ndaj kërkojnë që çdo hap i procesit të shoqërohet me dokumentacion zyrtar dhe afate të qarta.
Banorët kërkojnë që të informohen me shkrim për çdo procedurë, ndërsa ngrenë shqetësimin edhe për ndryshimet e destinacioneve të disa objekteve, përfshirë ato të komuniteteve fetare, çështje që sipas tyre mbetet ende e paqartë.
Projekti TID synon transformimin e qendrës historike të Durrësit, duke përfshirë zonën e amfiteatrit dhe bulevardin “Epidamn”. Megjithatë, ai ka hasur në kundërshti nga komuniteti, pasi parashikon prishjen e një numri të konsiderueshëm banesash dhe subjektesh private.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 74 familje preken nga procesi i shpronësimit, ndërsa fondi i parashikuar për kompensimin arrin në rreth 315 milionë lekë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



