Gënjeu dekriminalizimin për dëbimin nga Greqia
Historia e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka po shndërrohet në një test zjarri për drejtësinë shqiptare dhe integritetin e institucioneve të vetingut. Pas dokumentit të publikuar dje nga gjykata e Janinës, që vërtetonte dënimin e saj për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, sot është zbuluar një tjetër provë tronditëse: një prokurë noteriale që provon se Irena Gjoka ka qenë realisht e dëbuar nga Greqia dhe ka kërkuar ligjërisht ta kundërshtojë këtë vendim.
Prokura, e firmosur më 31 mars 2003 në Fier para noterit Fejzo Behaj, autorizon avokatin Andon Konomi në Patra të ndjekë çështjen e saj në Greqi, me qëllimin e vetëm: anullimin e masës së dëbimit të marrë nga autoritetet greke. Ajo është firmosur nga vetë Irena Gjoka (asokohe me mbiemrin Maneku) dhe bashkëshorti i saj, Stefanaq Gjoka. Ky dokument, tashmë i publikuar nga Lapsi.al, i rrëzon përfundimisht pretendimet e gjyqtares për “pastërtinë” e figurës së saj.
Në intervistat për BIRN, Gjoka mohoi kategorikisht çdo dënim apo dëbim nga autoritetet greke, duke u mbështetur në certifikata të lëshuara nga gjykatat e Athinës. Por dokumenti i Janinës, dhe tani prokura noteriale, hedhin dritë mbi një të kaluar të errët që ajo ka tentuar me çdo kusht ta fshehë.
Më rëndë akoma, kjo gënjeshtër është bërë edhe në formularin zyrtar të dekriminalizimit, ku ajo ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë e dënuar dhe as e dëbuar nga ndonjë shtet i Bashkimit Europian.
Pra në të dyja rastet edhe kur ka gënjyer se ka qenë e dënuar edhe kur ka gënjyer që ka qenë e dëbuar Inena Maneku, Shpata, Gjoka duhet ta humbiste të drejtën për të qenë gjyqtare.
Ligji është i qartë: një deklarim i rremë në këtë formular përbën shkelje penale dhe shkarkim automatik nga detyra.
Përfundimisht, Irena Gjoka ka mashtruar jo vetëm institucionet, por edhe opinionin publik. Ajo ka dhënë drejtësi për emra të njohur të opozitës, ndërkohë që vetë është një figurë e kompromentuar, që duhet të ishte larguar prej kohësh nga sistemi i drejtësisë.
A do të veprojë SPAK? A do të reagojë Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë? Apo edhe kësaj here do të mbyllet një sy për “gjyqtaren e pushtetit”?