Prokurori i SPAK zbardh skemën, si zhvasin call center-at kriminalë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Ened Nakuçi: Veprojnë nën maskën e bizneseve të ligjshme

Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah funksionimin e dy llojeve të call center-ave, disa prej të cilëve operojnë në kufirin mes aktivitetit të ligjshëm dhe atij kriminal.

Në një intervistë për “Exclusive”, prokurori i posaçëm Ened Nakuçi shpjegoi se një pjesë e këtyre strukturave janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese, por paralelisht përfshihen edhe në mashtrime.

“Në eksperiencën e punës tonë rezulton se një pjesë e tyre kanë qenë të ligjshme dhe kanë qenë të regjistruara pranë zyrave përkatëse, por bashkë me të kryejnë edhe mashtrimin kompjuterik të shtetasve evropianë. Tipologjia tjetër pa u regjistruar në organet tatimore, pa u raportuar”, u shpreh ai.

Sipas hetimeve, në këto rrjete janë përfshirë shtetas nga vende të ndryshme, përfshirë shqiptarë, izraelitë, italianë dhe ukrainas, duke treguar natyrën ndërkombëtare të aktivitetit.

Eksperti i teknologjisë së informacionit, Florenc Hidri, thekson se bëhet fjalë për struktura të organizuara kriminale dhe jo thjesht për call center-a tradicionalë.

“Këtu bëhet fjalë për grupe miks, pasi nuk kemi të bëjmë për një aktivitet call center, por për aktivitet kriminal, por për individë që kanë role dhe funksione të ndryshme, duke nisur nga shitësit virtualë që ofrojnë lista të tilla me numra telefoni të cilat shiten online, deri tek ata që pastrojnë paratë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Nakuçi thekson se këto struktura janë të organizuara në mënyrë të detajuar dhe me ndarje të qartë rolesh.

“Hetimi i grupeve kriminale është kompetencë e SPAK dhe ndaj SPAK është bërë pjesë e hetimeve. Call center-ave, në vetvete kanë ndarje rolesh, në vetvete kanë strukturim grupet, operatorët që realizojnë thirrjet e viktimave, më tej konsulentët dhe menaxherët, specialistët që mbajnë softuerët dhe grupet e thirrjeve, deri tek ata që ndajnë se çfarë gjuhe do flitet: italisht, gjermanisht, spanjisht, greqisht”, u shpreh prokurori./TCH

Publikuar nga Publik Media