Prokuroria Durrës ‘shigjeton’ tenderin e hidrovorit në Porto Romano
Ndërtimi iu besua kompanive “Vëllezerit Hysa”, “2T” dhe “Adriatik”
Prokuroria e Durrësit ka intensifikuar hetimet për të zbardhur shkaqet e përmbytjeve të rënda që goditën qarkun, duke sjellë humbjen e një jete njerëzore dhe dëme materiale që kapin vlera dhjetëra milionë euro. Në këtë kuadër, të hënën janë sekuestruar dokumente që lidhen me ndërtimin e hidrovorit të ri në Port Romano, një investim me vlerë rreth 19 milionë euro.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, objekt i sekuestrimit është bërë dokumentacioni i projektit “Studimi për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën Porto Romano–Kënetë, si dhe sistemi i menaxhimit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit”, projekt ky i hartuar në kuadër të procesit të rindërtimit, me një fond limit prej 87 milionë lekësh.
Paralelisht, nga Bashkia e Durrësit është marrë e gjithë dosja e procedurës tenderuese për ndërtimin e hidrovorit, si edhe dokumentet që lidhen me zbatimin konkret të projektit në terren. Prokuroria dyshon se objekti nuk ka funksionuar sipas standardeve të parashikuara, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës dhe në përmbytjet e ndodhura.
Ndërtimi i hidrovorit të Porto Romanos iu besua një bashkimi operatorësh ku përfshihen kompanitë “Vëllezërit Hysa”, “2T” dhe “Adriatik”. Kjo e fundit rezulton të jetë në pronësi të babait të Spartak Kovacit, ish-drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, ndërsa hetuesit po verifikojnë dyshimet se procesi i tenderimit mund të ketë qenë i paracaktuar.
Ndërkohë, situata e krijuar nga përmbytjet në Durrës mbetet alarmante. Punonjësi i ndërmarrjes komunale të Plazhit, Astrit Hysenaj, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa rreth 1 500 banesa dhe mijëra hektarë tokë bujqësore u mbuluan nga uji.
Prokuroria ka regjistruar hetime për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, shkatërrimit të pronës nga përmbytjet dhe dëmtimit të pronës nga pakujdesia, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi përgjegjësitë konkrete institucionale dhe individuale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



