E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria kërkon hapjen e telefonave të Elvis dhe Gjon Shkëmbit
Lajme

Prokuroria kërkon hapjen e telefonave të Elvis dhe Gjon Shkëmbit

Hetimet për vrasjen e gjyqtarit të apelit Astrit Kalaja janë përqendruar tashmë te dyshimet për një bashkëpunim të mundshëm mes autorit të dyshuar, Elvis Shkëmbi, dhe xhaxhait të tij, Gjon Shkëmbi.

Për të sqaruar nëse krimi është kryer në bashkëpunim, prokuroria ka administruar si prova dy aparate celularë që ishin në përdorim të të dyshuarve, që nga dita e ngjarjes deri në arrestimin e tyre. Pajisjet janë dërguar për shqyrtim në kuadër të një seance gjyqësore, me synimin për të zbardhur komunikimet mes tyre dhe me persona të tjerë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se dy prokurorët e çështjes kanë kërkuar kodet e aksesit të telefonave nga 30-vjeçari Elvis Shkëmbi dhe nga xhaxhai i tij, por të dy kanë refuzuar t’i vënë në dispozicion. Për këtë arsye, është kërkuar ndërhyrja e policisë shkencore për të kryer ekspertizën teknike dhe për të analizuar përmbajtjen e pajisjeve.

Hetuesit synojnë të verifikojnë nëse Gjon Shkëmbi ka pasur rol shtytës, nxitës apo bashkëpunues në ditën e ngjarjes, kur të dy udhëtuan drejt Tiranës për të marrë pjesë në një proces civil që lidhej me pronësinë.

Ndërkohë, Gjon Shkëmbi, i cili ndodhet në burg që prej 6 tetorit, ka kërkuar në mënyrë të përsëritur masë më të lehtë sigurie, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për qëllimet e nipit të tij. Megjithatë, gjykatat kanë vendosur ta mbajnë atë në qeli, duke vlerësuar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme për përfshirje në ngjarje.

Sipas dëshmive të administruara, Gjon Shkëmbi ka deklaruar se në momentin kur nipi i tij qëlloi për vdekje gjyqtarin, ai i është drejtuar me fjalët: “Na fike”. Kërkesa e fundit për lirimin e tij pritet të shqyrtohet më 27 janar.

Nga provat e mbledhura deri më tani, rezulton se Elvis Shkëmbi kishte hyrë edhe më parë në ambientet e gjykatës i armatosur, pa u vënë re nga kontrolli i sigurisë, një skenar që, sipas hetimit, u përsërit edhe ditën e vrasjes.

Autori i dyshuar nuk ka ankimuar masën e sigurisë “arrest me burg”, por gjatë dëshmisë para hetuesve ka deklaruar se ishte i motivuar nga urrejtja ndaj vendimit që e konsideronte të padrejtë. Ai ka pranuar se qëlloi me armë ndaj gjyqtarit, duke e lënë të vdekur në sallën e gjyqit, si dhe ndaj dy personave të tjerë, të cilët mbetën të plagosur.

Prokuroria po shqyrton gjithashtu deklarimet e tij lidhur me ankesat e mëparshme të depozituara në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe institucione të tjera për zvarritjen e proceseve gjyqësore.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, u ngritën shqetësime serioze për sigurinë në gjykata dhe prokurori. Megjithatë, pavarësisht debatit publik dhe deklaratave institucionale, çështja e sigurisë mbetet ende pa një zgjidhje konkrete.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.