E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pronari i MCN flet mbi kërcënimin dhe heshtjen e policisë
Lajme

Pronari i MCN flet mbi kërcënimin dhe heshtjen e policisë

Endri Meksi denoncon mungesën e hetimeve dhe flet për presione, auditime të zgjatura dhe tentativa për ta heshtur nga miqtë e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit

Kërcënohet me armë CEO i MCN tv, Endri Meksi

Drejtori i MCN TV, Endri Meksi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e reagimit nga institucionet pas kërcënimeve të përsëritura ndaj tij dhe bizneseve që zotëron.

Gjatë një deklarate në studio, Meksi bëri të ditur se, pavarësisht denoncimit të bërë më 10 mars dhe ndjekjes së procedurave ligjore në vijim, nuk ka marrë asnjë informacion nga policia për ecurinë e çështjes.

Sipas tij, dosja është referuar në prokurori menjëherë pas kallëzimit, ndërsa më 18 mars ai është paraqitur sërish për të depozituar një ankimim. Megjithatë, që prej atij momenti, nuk ka pasur asnjë zhvillim konkret.

Meksi e konsideron këtë situatë të dyshimtë dhe shkon më tej, duke e cilësuar si një përpjekje të qëllimshme për ta heshtur çështjen. Ai theksoi se edhe elementë të rëndësishëm të hetimit, si pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, nuk janë administruar siç duhet nga policia.

“Është e çuditshme që askush nuk duket i interesuar ta ndjekë këtë rast. Madje, më është bërë pyetja pse e denoncova,” u shpreh ai, duke shtuar se kallëzimi ishte i domosdoshëm për transparencë dhe për të shmangur dyshimet publike.

Më tej, Meksi i lidh kërcënimet me aktivitetin e tij në disa sektorë që ai i konsideron të ndjeshëm, si lojërat e fatit, teknologjia dhe projektet infrastrukturore. Ai nënvizoi se përfshirja në investigimin e aferave në këto fusha mund të ketë sjellë pasoja direkte ndaj tij.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij lidhet me një auditim të zgjatur nga Ministria e Financave ndaj bizneseve të tij, i cili sipas Meksit ka tejkaluar çdo afat normal dhe është shoqëruar me ndërhyrje të dyshimta.

Ai pretendon se në këtë proces janë përfshirë persona të “porositur”, duke përmendur emra konkretë, dhe se për këtë çështje ka informuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë SPAK-un, pa marrë asnjë përgjigje.

Në fund, Meksi theksoi se vendimi për t’iu drejtuar SPAK-ut lidhet me besimin tek drejtësia dhe nevojën për të mbrojtur pavarësinë e medias.

“Është një mënyrë për të treguar vendosmëri dhe për të kërkuar që shteti i së drejtës të funksionojë,” përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.