E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta e qytetarëve triumfon, Qeveria shfuqizon VKM-në për projektin TID
Lajme

Protesta e qytetarëve triumfon, Qeveria shfuqizon VKM-në për projektin TID

Muaj të tërë protestash dhe kundërshtimesh nga banorët e Durrësit kanë sjellë një zhvillim të rëndësishëm për projektin TID. Këshilli i Ministrave ka vendosur të shfuqizojë vendimin që i hapte rrugë zbatimit të projektit në zonën historike të qytetit, ku parashikohej ndërhyrja në një hapësirë ku rrezikonin të shembeshin dhjetëra banesa.

Vendimi i ri i qeverisë është marrë më 30 korrik 2026 dhe anulon VKM-në “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese”.

Shfuqizimi lidhet me zonën nr. 5 të rindërtimit, e cila përfshin një pjesë të konsiderueshme të qendrës historike të Durrësit. Pikërisht në këtë zonë ishte parashikuar të zbatohej projekti TID, i mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Rezistenca e 74 familjeve

Vendimi i qeverisë vjen pas një periudhe të gjatë kundërshtimesh nga banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar mbrojtjen e banesave dhe pronave të tyre.

Gjatë muajve të fundit, banorët kanë zhvilluar protesta dhe kanë qëndruar në mbrojtje të pronave, ndërsa në disa raste situata është shoqëruar edhe me përplasje me forcat e Policisë.

Vetëm pak javë më parë, përfaqësues të 74 familjeve, banesat e të cilave rrezikoheshin drejtpërdrejt nga shembja, protestuan përpara godinës së Bashkisë së Durrësit.

Banorët kanë deklaruar vazhdimisht se nuk do të tërhiqeshin nga qëndrimi i tyre deri në momentin kur institucionet do të merrnin parasysh kërkesat për mbrojtjen e shtëpive dhe pronave të tyre.

Çfarë ndodh me projektin TID?

Shfuqizimi i VKM-së përbën një zhvillim të rëndësishëm për banorët që kundërshtuan projektin dhe një tërheqje të qeverisë nga vendimi që i hapte rrugë ndërhyrjes në zonën historike.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me projektin TID në të ardhmen dhe nëse do të ketë një variant të ri të ndërhyrjes në këtë pjesë të rëndësishme të Durrësit.

Për momentin, shfuqizimi i vendimit lë pezull planet për ndërhyrjen e parashikuar, ndërsa banorët e 74 familjeve kanë fituar një moment të rëndësishëm në betejën e tyre për mbrojtjen e banesave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.