Protestë për burimin e ujit në Burimas, banorët bllokojnë rrugën
“Tani që kemi ujë 24 orë, duan të na e marrin”
Banorët e Burimasit kanë dalë në protestë kundër projektit që parashikon furnizimin me ujë të fshatit Zvezdë, duke bllokuar rrugën hyrëse të fshatit dhe penguar kalimin e mjeteve të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë.
Në qendër të kundërshtimit është plani për të marrë një pjesë të ujit nga burimi që aktualisht furnizon Burimasin. Banorët thonë se nuk pranojnë asnjë ndërhyrje që mund të rrezikojë furnizimin e fshatit, veçanërisht pas një periudhe prej rreth dy dekadash me probleme të vazhdueshme.
Sipas tyre, vetëm gjatë dy viteve të fundit situata është përmirësuar dhe Burimasi ka arritur të ketë furnizim të qëndrueshëm me ujë. Banorët e lidhin këtë ndryshim me një pus të hapur në zonën e guroreve, ndërsa shprehen se zgjidhja nuk ka ardhur si rezultat i investimeve të bashkisë apo ujësjellësit.
Një prej protestuesve thotë se komuniteti nuk është dakord që uji i siguruar pas kaq shumë vitesh të përdoret tashmë për furnizimin e Zvezdës.
“Për momentin, ka dy vjet kemi ujë. Dhe do t’i falemi edhe Zotit, për natyrën që na e ka dhënë, edhe gurorja që na e hapi. Nuk na dha as bashkia, as ujësjellësi. Ujësjellësi pa ardhur mirë, pa u hapur mirë pusi, ujësjellësi na shtroi tubat. Edhe unë e paguaj ujësjellësin. Ujësjellësi nuk ka dhënë asnjë lekë për këtë fshat. Neve dalim në protestë se ne duam të mbrojmë ujin, se kemi pasur, fshati Burimas ka pasur shumë ujë. Ua kemi dhënë të tjerëve. Tani kërkojnë të na e marrin këtu e t’ia japin Zvezdës. Zvezda le ta nxjerrë në tokën e tyre. Siç e nxorëm ne, le ta nxjerrin edhe ata. Për këtë jemi ngritur dhe do të ngrihemi! Do të vazhdojmë, do ta kërkojmë me forcë më të madhe që të mos na e marrin. Ne do të vazhdojmë. Në qoftë se autoritetet nuk bien dakord, le të vijë ta shkrijë malin, ta mbjellë me bredha e me të tëra, ta bëjë siç ka qenë, edhe ne do t’ua falim ujin. Do të vazhdojmë! Jo vetëm kaq sa jemi, akoma! Akoma më shumë”, tha banori.
Banorët e shohin çështjen jo vetëm si një problem të furnizimit me ujë, por edhe si pjesë të një historie të gjatë të përballjes me aktivitetin e guroreve në zonë.
Ata pretendojnë se pusi që sot furnizon Burimasin është hapur për nevojat e aktivitetit të guroreve dhe se komuniteti ka përballuar për vite me radhë pasojat e këtij aktiviteti. Për këtë arsye, banorët kërkojnë që çdo projekt i ri të mos cenojë burimin që tashmë e konsiderojnë jetik për fshatin.
“Problemi është këtu që Bashkia Maliq dhe Ujësjellësi ka vendosur që linjën që kemi ne ta lidhë dhe t’u japë ujë Zvezdës. Ne nuk jemi dakord. Ka shumë arsye, po dy janë kryesoret: Në fshatin tonë këtë pus e ka hapur, po të shikosh më lart është gurorja. E kanë hapur ata për nevojat e gurores. E kanë hapur enkas për Gollobërdën me qëllim se ne kemi ngrënë tërë pluhurin e tyre për 20 e ca vjet. Me një kusht pranojmë: Në qoftë se që nesër hiqen të dyja guroret, ne do të vëmë të pimë ujë në lumë. Kaq”, u shpreh banori.
Për komunitetin e Burimasit, debati bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të historikut të vështirësive me furnizimin me ujë. Banorët kujtojnë se për rreth 20 vite janë detyruar të sigurojnë ujë në zona të tjera, ndërsa familjet kanë përballuar edhe dëme që, sipas tyre, janë shkaktuar nga shpërthimet e guroreve.
Ata thonë se situata ka ndryshuar vetëm në dy vitet e fundit, kur furnizimi është bërë i vazhdueshëm.
“Ne si fshat kemi 20 vjet që vuajmë për punën e ujit. Ujin ne e kemi nga gurorja, nga dy guroret që janë këtu. Neve shtëpitë i kemi rregulluar nga dy herë. Para dy vjetësh unë hodha 30 milionë lekë nga shtëpia ime, nga plasja e minave të këtyre. Edhe këta për të na e mbyllur gojën neve na kanë bërë pusin e ujit. Pusin ne e kemi nga gurorja. Tani Zvezda nuk e do ujin nga fshati ynë. Ata kanë ardhur e kanë folur vetë këtu, nuk e duan nga fshati ynë. Duan të hapin një pus të vetin. Tani këta pse duan t’ju vijë ta marrin vjedhurazi ose me forcë? S’e marrim vesh! S’është dakord fshati fare këtu. Edhe Zvezda nuk është dakord ta marrë nga fshati ynë. Ne ujin e kemi. Në rregull është! Me ujin ne kemi vuajtur, ka 20 vjet, mbushnim bidonat, shkonim në Cangonj, në Maliq me traktor. Tani që kemi ujë 24 orë duan të na e marrin. Uji është jetë”, u shpreh një tjetër banor.
Protesta ka vijuar me bllokimin e rrugës hyrëse të Burimasit, ndërsa mjetet e Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë nuk janë lejuar të kalojnë nga banorët.
Protestuesit kërkojnë rishikimin e projektit dhe garanci se furnizimi me ujë i Burimasit nuk do të preket nga ndërhyrja e planifikuar. Ata kërkojnë që çdo zgjidhje për furnizimin e Zvezdës të mos bëhet në kurriz të burimit që tashmë përdoret nga komuniteti i tyre.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Ujësjellës-Kanalizimeve Korçë deklarojnë se bëhet fjalë për një projekt të ri të miratuar, i cili përcakton burimet e furnizimit me ujë për disa fshatra të zonës.
Sipas tyre, projekti parashikon furnizimin me ujë të pijshëm të Zvezdës, Pojanit dhe Plasës, ndërsa garantohet se Burimasi nuk do të cenohet nga ndërhyrja. Ujësjellës-Kanalizimet Korçë thekson gjithashtu se furnizimi 24 orë i Burimasit do të vijojë.
Përplasja mes banorëve dhe autoriteteve mbetet e hapur, ndërsa komuniteti i Burimasit këmbëngul se uji i fshatit nuk duhet të përdoret për furnizimin e zonave të tjera nëse kjo rrezikon sasinë dhe vazhdimësinë e furnizimit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



