PS bllokon arrestimin e Belinda Ballukut, refuzohet kërkesa e SPAK
Mazhoranca socialiste në Kuvend ka refuzuar kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se një masë e tillë nuk është e nevojshme për zhvillimin e hetimit penal.
Vendimi u bë publik nga përfaqësuesi i Partia Socialiste e Shqipërisë, Ulsi Manja, i cili paraqiti raportin përfundimtar të shumicës parlamentare pas dëgjesës me prokurorët dhe përfaqësuesit ligjorë të deputetes.
Sipas tij, ndaj Ballukut ishte vendosur më herët masa e ndalimit të daljes jashtë vendit, konkretisht në nëntor të vitit 2025, ndërsa më 16 dhjetor të po atij viti prokuroria i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestim.
Manja theksoi se argumenti i prokurorisë lidhej me pretendimin se gjatë hetimeve janë shtuar episode dhe fakte të reja penale, të cilat sipas SPAK rrisin përgjegjësinë dhe dëmin e mundshëm ndaj shtetit. Megjithatë, sipas vlerësimit të shumicës socialiste, këto zhvillime nuk përbëjnë rrethana të reja që justifikojnë vendosjen e masës së arrestit.
“Edhe me shtimin e fakteve të pretenduara, vepra penale mbetet e njëjtë dhe nuk kemi një akuzë të re ndaj deputetes”, u shpreh Manja gjatë leximit të raportit.
Ai u ndal edhe te argumenti i prokurorisë për rrezikun e prishjes së provave apo ndikimit mbi dëshmitarët. Sipas tij, pretendimi i SPAK mbështetet kryesisht në faktin që Balluku ka mbajtur më parë postin e ministres, një rrethanë që sipas raportit të mazhorancës nuk mund të përdoret më si argument.
Në raport theksohet se nuk ekziston asnjë provë direkte apo indirekte që deputetja të ketë ushtruar ndikim për të penguar hetimin apo për të manipuluar prova.
Manja përmendi gjithashtu një procesverbal ku dy shtetase diskutojnë për një dëshmi të dhënë në SPAK, por sipas tij nga përmbajtja e dokumentit nuk rezulton që dëshmitarja të jetë intimiduar nga Balluku apo nga persona të lidhur me të.
Sipas raportit, edhe vetë dëshmitarja ka deklaruar se i qëndron dëshmisë së saj, ndërsa fakti që ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim penal bën që deklarimet e saj të vlerësohen me rezervë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale. Por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Belinda Balluku. Po të prishte provat, do të kishte një akuzë të dytë, që është ajo e prishjes së provave. Ndërkohë për arratisjen, ka një procedurë. Rreziku i arratisjes do të duhet të jetë real, dhe jo i supozuar. Balluku, edhe pse ka qenë në dijeni të hetimeve që në gusht, edhe pasi iu njoftua akuza nga SPAK, ajo ka udhëtuar disa herë jashtë shtetit. Përsëri është kthyer në Shqipëri në respekt të masës së sigurimit dhe në respekt të funksionit dhe procedimit penal. Ka udhëtuar në Bukuresh, në Athinë, Romë dhe në të gjithaq rastet është kthyer në Shqipëri, duke rrefkëtuar sjellje të rregullt ndaj autoriteteve. Ka dorëzuar mjetet e identifikimit. Edhe kartën e re të identitetit, që ka dalë pasi ka dalë masa, sapo është marrë në dorë nga deputetja, mbrojtja e saj e ka dorëzuar. Ju e dini që me kartën lëvizet në rajon. Pretendimi se sanksioni penal, shtimi i sanksionit, hipotetikisht që mund të çoje në arratisje, bie poshtë. Dhe ky pretendim nuk qëndron. Mbi pretendimin e përsëritjes së veprës penale, këtu s’dua të ndaloj, pasi rreziku kërkon të jetë real dhe jo hipotetik. Edhe ky pretendim nuk qëndron. Ne si maxhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha Ulsi Manja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



