Ylli Manjani
Pse duhet përshëndetur vendimi i Gjykatës së Lartë
Edhe në rastin “Beqaj” edhe në rastin e drejtorëve të bashkisë gjykatat kanë sugjeruar masa dhe qëndrime më të ashpra sesa ka kërkuar vetë prokuroria. Rasti “Salianji” është gjithashtu një rast tjetër.
Padyshim që trajtimi i pabarabartë i të dyshuarve për shkelje ligji është një çështje që meriton debat dhe kritikë të fortë.
E vërteta është që gjykatat tona, veçanërisht gjykatat e apelit kanë marrë disa herë vendime përkeqësuese në raport me gjykatat e shkallës së parë dhe madje edhe më të ashpra se qëndrimet e prokurorisë.
Nuk është në natyrën e gjykatës së paanshme dhe mbi palët që të sugjerojë apo të vendosë për masa më të ashpra sesa kërkojnë palët në gjykim. Gjykata është shpikur për drejtësi, proporcionalitet, barazi dhe jo për gijotinë.
Gjykatat tona, disa herë e kanë bërë këtë gjë. Edhe në rastin “Beqaj” edhe në rastin e drejtorëve të bashkisë gjykatat kanë sugjeruar masa dhe qëndrime më të ashpra sesa ka kërkuar vetë prokuroria. Rasti “Salianji” është gjithashtu një rast tjetër.
Në këto kushte, vendimi i Gjykatës së Lartë për të kufizuar këtë rol ekstrem të gjykatave, në rastin e drejtorëve të bashkisë, është për t’u përshëndetur.
Personalisht nuk kam ndonjë respekt për rolin e Gjykatës së Lartë, për shkak të vendimeve gjithashtu ekstreme që ka marrë në raste të tjera, si Porti i Limionit, Metamorfoza, çështja Berisha, çështja Beleri, apo qëndrimi skandaloz i lejimit të sekuestros ndaj të tretëve në mirbesim etj. Por ideja e kufizimit të ekstremizimit gjyqsor është për t’u përshëndetur.
Në gjykatë shkohet për të drejtën, të ballancuarën, proporcionalen jo për ekstremin.
Apeli është shpikur për hallexhiun, jo për shtetin. Ky i fundit e ka formalisht të drejtën e apelit, por gjykata ekziston për të kufizuar ekstremizmin, jo për ta thelluar atë.
Në këtë kuptim prishja e vendimit që kërkon qëndrime më të ashpra sesa vetë prokuroria sugjeron, për drejtorët e Bashkisë Tiranë, meriton respekt.
Le të jenë drejtorët e bashkisë, e ç’a pastaj?!
Të gjithë kanë të drejtën për t’u mbrojtur, pavarsisht sa i madh është mllefi i turmës.
“Po dalin nga burgu drejtorët”, është lajmi i ditës.
Po si të bëjmë? Ti kalbim në burg për pjesën e mbetur të jetës?!
Ç’a llogjike është kjo?!
Kur hyn në burg edhe do dalësh prej tij, o njerëz!
Drejtësinë duhet ta kërkosh më shumë tek ai që s’të pëlqen, që të ketë kuptim edhe drejtësia që kërkon për vete.
Ky është thelbi i të qënit i drejtë.