Pse fasada e një pallati të ri digjet si letër?

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Analizë Teknike

Një analizë teknike e arkitektit Elis Baba hedh dritë mbi arsyet pse zjarri në një pallat të ri në Tiranë u përhap me shpejtësi të pazakontë, duke përfshirë të gjithë fasadën brenda pak minutash.

Pas një inspektimi në terren, në zonën e njohur si “Farmacia 10”, eksperti identifikon disa probleme serioze në ndërtimin e fasadës, të cilat, sipas tij, kanë krijuar kushtet ideale për përhapjen e flakëve.

Materiali i fasadës: “karburant” i fshehur

Sipas analizës, një nga faktorët kryesorë lidhet me përdorimin e paneleve kompozite me bërthamë polietileni (PE), të njohura gjerësisht si Alucobond. Ky material, megjithëse i zakonshëm në reklama apo struktura të ulëta, është shumë i ndezshëm dhe nuk rekomandohet për ndërtesa shumëkatëshe.

Polietileni digjet me shpejtësi dhe krijon efektin e “pikimit të flakëve”, duke e kthyer fasadën në një burim aktiv zjarri.

“Efekti oxhak” në fasadat e ventiluara

Një tjetër problem i evidentuar është mënyra e ndërtimit të fasadës së ventiluar. Hapësira bosh midis izolimit dhe veshjes së jashtme, në mungesë të barrierave mbrojtëse, funksionon si një kanal që përshpejton ngjitjen e flakëve.

Ky fenomen, i njohur si “efekti oxhak”, krijon një rrjedhë të fortë ajri që ushqen zjarrin dhe e çon atë me shpejtësi drejt kateve të sipërme.

Dështimi i fiksimit të izolimit

Në imazhin e publikuar nga vetë eksperti, vërehet se izolimi me lesh guri është fiksuar me elementë plastikë (upa). Në kushte temperature të lartë, këto elemente shkrihen, duke bërë që izolimi të bjerë dhe të lërë strukturën e ekspozuar direkt ndaj flakëve.

Zgjidhja e rekomanduar, sipas tij, është përdorimi i fiksuesve metalikë, të cilët rezistojnë më gjatë në temperatura ekstreme.

Dyshime për përdorimin e shkumës poliuretani

Një element shtesë që mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e situatës është përdorimi i shkumës poliuretani për mbushjen e boshllëqeve. Ky material është shumë i djegshëm dhe mund të ketë shërbyer si një “fitil” për përhapjen e zjarrit në të gjithë fasadën.

Thirrje për verifikim institucional

Arkitekti thekson se këto janë konstatime profesionale nga terreni dhe kërkon një ekspertizë zyrtare për të konfirmuar shkaqet. Ai bën thirrje që institucionet të ndërhyjnë për të verifikuar përdorimin e materialeve të ngjashme në ndërtesa të tjera shumëkatëshe dhe për të marrë masa parandaluese.

Sipas tij, nëse konfirmohet përdorimi i materialeve të djegshme, duhet të ndërmerren hapa urgjentë për zëvendësimin ose sigurimin e fasadave ekzistuese.

Analiza e plotë:

Siç premtova, pas vizitës në objektin te “Farmacia 10”, po ndaj me ju analizën time profesionale mbi shkaqet teknike që shpjegojnë pse zjarri u përhap me atë shpejtësi. Këto janë tre pikat ku sistemi i fasadës ka dështuar, dhe një e katërt që mund të ketë ndikuar gjithashtu në përkeqësimin e situatës:

1. Materiali i fasadës: Një “karburant” i fshehur pas aluminit

Paneli kompozit (i njohur si Alucobond) që pashë në terren ka bërthamë të zezë prej Polietileni (PE). Ky material nuk është i projektuar për fasada pallatesh; ai përdoret zakonisht për tabela reklamash ose objekte 1-katëshe. Polietileni është plastikë që ndizet menjëherë dhe pikon flakë, duke e kthyer fasadën në një bombë termike.

Si duhet të ishte: Për ndërtesa të larta, duhet përdorur vetëm bërthamë minerale (Klasa A2 kundër zjarrit) që nuk digjet.
2. Sistemi: “Efekti Oxhak” që thith flakët

Fasada e ventiluar ka një hapësirë boshe midis izolimit dhe veshjes. Edhe pse është element pozitiv për eficiencën energjetike, pa elementet e sigurisë ajo kthehet në rrezik fatal. Pa bariera horizontale (Fire Barriers) në çdo kat, kjo hapësirë funksionon si oxhak: nxehtësia krijon presion që thith oksigjenin nga poshtë dhe e ngjit zjarrin lart me shpejtësi marramendëse.

Si duhet të ishte: Çdo kat duhet të ketë bariera horizontale prej çeliku ose lesh guri me densitet të lartë që ndërpresin “oxhakun”.

3. Fiksimi i izolimit: Gabimi te detajet (Upat)

Pashë që leshi i gurit ishte fiksuar me upa të thjeshta plastike. Në nxehtësinë e zjarrit, plastika shkrin dhe mbrojtja termike bie në tokë, duke e lënë strukturën e godinës të ekspozuar direkt ndaj flakëve. Nëse ato do të qëndronin në vend, flakët nuk do të godisnin drejtpërdrejt tullat.

Si duhet të ishte: Upat duhet të jenë me kunj metalik (çeliku) për të rezistuar një kohë më të gjatë nën efektin e zjarrit të drejtpërdrejtë.
4. Shkuma e Poliuretanit (element shtesë)

Ekziston një dyshim i bazuar se hapësirat ku pllakat e leshit të gurit nuk puthiten mirë, janë mbushur me shkumë poliuretani të thjeshtë (për shpejtësi në kantier). Kjo shkumë është jashtëzakonisht e djegshme dhe shërben si “fitil” që e përcjell zjarrin.

Si duhet të ishte: Praktika e sigurt kërkon që këto hapësira të mbushen me copëza të vetë materialit të leshit të gurit ose izolues me të njëjtat parametra.

Thirrja për Institucionet

Shteti duhet të dalë menjëherë me një Akt Ekspertize zyrtar që të verifikojë këto shkaqe teknike. Në momentin që konfirmohet se paneli është i djegshëm (PE), institucionet kanë për detyrë:

Të kërkojnë verifikimin e çdo objekti shumëkatësh ku është përdorur ky material.

Të merren masa emergjente për zëvendësimin ose sigurimin e tyre.

Të nisë menjëherë integrimin e normativave ligjore për të garantuar cilësinë e ndërtimit, jo vetëm për lejet e reja të ndërtimit që do të jepen, por edhe për çdo ndërtesë shumëkatëshe që është ende në zbatim.

Nuk mund të lejojmë që siguria e jetës të sakrifikohet për të maksimizuar fitimet e një pakice klienteliste të pushtetit. Siguria teknike nuk është luks, por detyrim.

Shënim sqarues:

Kjo është analiza ime bazuar në çfarë pashë nga afër në objekt dhe bazuar në eksperiencën time në praktikën e profesionit si arkitekt. Kjo analizë nuk pretendon të zëvendësojë ekspertizën ligjore që kërkon rasti, por të japë një opinion profesional për të ndihmuar publikun e gjerë të kuptojë diçka më tepër midis “tymnajës” së pafund të krijuar sidomos nga mediat.

Publikuar nga Publik Media