Landi Çela
Kur u krijua SPAK, shqiptarët shpresuan për një institucion që do të rikthente drejtësinë në një vend të lodhur nga korrupsioni dhe padrejtësia. Madje Sekretari në ikje Blinken e dekoroi si ” Kampion të luftës ndaj korrupsionit” kreun e SPAK, Altin Dumanin.
Por duket se sado dekorime të marrë ky institucion po ndjek një rrugë të çuditshme: një standard për njerëzit e zakonshëm dhe një tjetër për politikanët e fuqishëm. Rasti i Erion Veliajt është shembulli më flagrant i kësaj hipokrizie.
Hetimet e ngadalta dhe trajtimi i privilegjuar
Ndaj Erion Veliajt janë hapur disa hetime, por ritmi i SPAK-ut është aq i ngadaltë, sa duket sikur koha është aleati më i madh i tij. Në një situatë që nuk do të ndodhte kurrë me një qytetar të zakonshëm, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) qëndruan dy orë jashtë derës së banesës së bashkëshortes së Veliajt. Pse ky privilegj? Çfarë ndodh kur një qytetar refuzon të hapë derën? Hetuesit hyjnë me forcë. Por, kur bëhet fjalë për një zyrtar të rangut të lartë, standardi ndryshon.
Kjo situatë nuk është thjesht një detaj procedural; është një pasqyrë e asaj se si trajtohet drejtësia në Shqipëri. A jemi të gjithë të barabartë para ligjit? Nëse jo, atëherë SPAK-ut i rrofshin dekoartat e Blinken.
Koha, aleati i korrupsionit
Sa më gjatë të lihet Veliaj i paprekur, aq më shumë mundësi ka ai të fshehë gjurmët e pasurisë së tij. Vetëm vëllai i tij Arbër Veliaj ka një qarkullim prej 32 MLN euro në kompaninë e tij. Në vend që të merren masa urgjente për të bllokuar lëvizjet financiare dhe të ndalohet vjedhja, SPAK duket sikur po i jep kohë të mjaftueshme për të mbrojtur veten.
Në këtë kontekst, mbështetja ndaj SPAK-ut nuk mund të jetë e verbër. Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje dhe rezultate. Prokurorët e SPAK-ut marrin rroga të majme nga 10 mijë euro dhe kanë në dispozicion teknologji moderne dhe ekspertizë ndërkombëtare. Nuk ka më justifikime për ngadalësinë apo neglizhencën.
Shantazhi apo neglizhenca?
A është SPAK nën presion? A po ndikohet nga interesat e fuqishme? Këto janë pyetje që nuk mund të shmangen. Një institucion që duhet të jetë simbol i drejtësisë, po lë gjithnjë e më shumë hapësira për dyshime. Nëse SPAK nuk ka forcën të tregojë se të gjithë janë të barabartë para ligjit, atëherë ekzistenca e tij nuk ka asnjë vlerë.
Mbështetja ndaj drejtësisë nuk duhet të përkthehet në heshtje apo pranim të çdo sjelljeje. Nëse SPAK ka vendosur të trajtojë Veliajn me doreza kadifeje, atëherë duhet të japë një shpjegim të qartë. Shqiptarët kërkojnë që të ndalohen vjedhjet dhe të rikthehen paratë e vjedhura. Ky nuk është vetëm një imperativ moral, por një domosdoshmëri për të rikthyer besimin në sistemin e drejtësisë.
SPAK duhet të dëshmojë se është një institucion i pavarur, jo një lojtar në shërbim të politikanëve të fuqishëm. Nëse dështimi për të vepruar ndaj Veliajt vazhdon, atëherë legjitimiteti i SPAK-ut është i rrezikuar dhe shpresa për drejtësi në Shqipëri do të shuhet edhe më shumë duke i dhënë të drejtë Sali Berishës që e quan ” SKAPI” i partisë! Kur ky institucion ka frikë nga Erion Veliaj imagjinojeni se sa tmerr ka nga kryeministri Rama…