Pse vetëm një parti po bën fushatë në Shqipëri?

Alfred Lela

Fushata elektorale në Shqipëri është thuajse e patrajtë. Fizionomia e saj është e humbur në tri llogore betejash, ku rreshtohen krahë politikë që kërkojnë vëmendjen, besimin, hutimin apo votën e shqiptarëve më 11 maj.

Në njërën llogore, Edi Rama i vetëm, me 12 vite që i vijnë pas- dhe një pasaportë që e nxjerr para- është i munguari i madh i kësaj fushate. Kur sheh agjendën e tij në mëngjes, të bien në sy takimet e shumta, dhe mendon se një fushatë e marrë seriozisht po ndodh. Kur shëtit nga një aktivitet në tjetrin, e kupton se të gjithë janë njëlloj. Është Rama dhe pasaporta. Aty mungon përballja me 12 vitet e qeverisjes, në formë retrospektive apo perspektive. Rama nuk flet për ç’ka (s)ka bërë në një dekadë, por për atë që do të bëjë në vijuesen.

Rama e ka zbrazur fushën nga kundërshtari.

Në kuptimin që nuk del në debat me rivalin, nuk lejon ministrat të shkojnë në studio TV me kundërshtarët, nuk paraqet një bilanc qeverisjeje, nuk e balancon këtë bilanc me publikun apo grupet e interesit. Edhe faktin se ka deputetë, ministra e kryebashkiakë të arrestuar për korrupsion, e quan sukses të qeverisë së tij.

Edi Rama e ka zbrazur politikën dhe fushatën nga kuptimi.

Fushata e tij është atipike, e menduar si një serial NETFLIX, jo paraqitje e programit dhe përballje me rekordin e qeverisjes 12 vjeçare. Ajo mund të jetë argëtuese, por qytetari/a fillon kur e kupton se duhet ta ndajë gallatën nga menaxhimi, qeverisja, politika.

Në një bllok të dytë renditen minipartitë, apo partitë e vogla, që vetëquhen ‘të reja’, por demonstrojnë tipologji të vjetra. Edhe ato janë pa fushatë. Më së pari sepse nuk kanë muskujt për të përballuar fushatat e mëdha kombëtare. Së dyti, edhe pse ligjërojnë si formacione që janë ngritur për të përmbysur ‘kultin e liderit’, riformësojnë dhe riparaqesin pikërisht këtë kult. Kush njeh dikë tjetër te Mundësia e Agron Shehajt apo te Shqiperia behet e Lapajt. Veç kësaj, të ngecur në kurthin e vetëpërkufizimit si ‘ndryshe nga të vjetrit’, këto miniparti bëjnë gabimin e madh që paketojnë dy partitë e mëdha, në një kundërshtar të vetëm. Kjo amniston qeverinë 12 vjeçare dhe gërryen opozitën e barrikadave, atë që-mirë keq- i ka bërë rezistencën më të gjatë, më të kushtueshme, më produktive kësaj qeverisje. Nëse politikisht është miopi, intelektualisht është e pandershme. Në vend që të invstoheshin fort për një shumicë, edhe të brishtë, të opzoites, ku të bënin pjesë si kushtëzues edhe ata vetë, kontribuojnë në mbajtjen e një mazhorance e cila nuk dihet se ç’trajtë do të marrë, në raport me ta dhe as me shoqërinë. Në fakt, dihet: ashtu si Frankenshtajni i shkencëtarit, ashtu si çdo monster, ajo do të rritet dhe do të godasë të parët ata që që ndihmuan në prodhimin e saj, pra edhe liderët e minipartive.

Në një teatër politik me mazhorancë të forte, minipartinë minimizohen edhe më shumë, deri në humbje të kuptimit. Liderët e mëdhenj të partive të vogla të shohin vendet autoritare, apo demokracitë hibride në lindje të kontinentit tonë për këtë.

Për program të tyre nuk mund të flitet; më saktë as minipartitë nuk flasin, sepse paraqitja e një programi të evidenton si forcë qeverisëse. Duke qenë se u mungojnë muskujt dhe mbështetja, e vetmja formë që do i bënte parti qeverisëse është aleanca me një prej 2 partive të mëdha.

Për të ardhur te Partia Demokratike e Sali Berishës, që ngjan e çuditshme, sepse është e vetmja që operon si parti klasike e fushatave politike. Me program të qartë, me shtjellim të palodhur, me takime të drejtpërdrejta me qytetarët, në vende të hapura publike, Sali Berisha është rikthyer si politikani me idenë e shtetit, dhe etatizmin dhe seriozitetin e mjaftueshëm për ta bërë realitet.

Ai është i hapur për debat, merr disa herë në javë pyetje nga gazetarët në seli apo pas aktiviteteve të ndryshme në Tiranë dhe rrethe, dhe bashkëpunëtorët e tjerë në parti, e kërkojnë debatin me rivalët e PS.

Kundërshtari mungon.

Në këtë kuptim, Partia Demokratike është e vetmja që bën fushatë dhe ka fushatë. Dy blloqet e tjera nuk janë të interesuara për fushatë. PS sepse nuk ka çfarë të tregojë për të shkuarën, dhe minipartitë, sepse nuk kanë çfarë ofrojnë për të ardhmen.

Publikuar nga Publik Media