Me vetëm 238 vota, Brunilda Laboviti është shpallur presidente e re e Urdhrit të Psikologut, një institucion me rreth 1600 anëtarë. Por në vend të festës, procesi zgjedhor i datës 5 qershor ka hapur një përplasje të ashpër mes dy kampeve: grupit të ish-presidentes Valbona Treska dhe kundërshtarëve të saj që e akuzojnë për uzurpim, emërime selektive dhe mungesë transparence financiare.
Në qendër të përplasjes janë trajnimet e detyrueshme që kushtojnë deri në 150 mijë lekë dhe që, sipas akuzave, menaxhohen në mënyrë të centralizuar nga vetë drejtuesit e Urdhrit. Shumë psikologë pretendojnë se përzgjedhja për të punuar në sistemin e drejtësisë bëhet në mënyrë të padrejtë dhe përmes lidhjeve, jo meritës.
Pamjet nga Asambleja tregojnë psikologë të revoltuar që akuzojnë Këshillin për “mafi dhe abuzim”. Ndërkohë, Treska nuk pranon të lëshojë detyrën, duke thënë se zgjedhjet nuk janë certifikuar dhe mungon kuorumi i nevojshëm. Nga ana tjetër, grupi i Labovitit kërkon njohjen e rezultatit dhe marrjen në dorë të drejtimit të institucionit.
Psikologia Denada Toçe i quan zhvillimet “mafie të sofistikuar” dhe thekson se Urdhri ka monopolizuar trajnimet, pavarësisht vendimeve të gjykatave që njohin edhe ofrues të tjerë.
Në vend që të garantonte etikën profesionale dhe cilësinë në shërbimin psikologjik, Urdhri është kthyer në një arenë konflikti, ku dominon interesi ekonomik dhe lufta për ndikim në sistemin penal. Një ironi e dhimbshme për një profesion që supozohet të promovojë mirëqenie mendore jo luftë pushteti.