Punëtorët e Bankers rikthehen në protestë me 5 dhe 6 shtator
Pas zbardhjes së dosjes “Bankers”, ku drejtues të kompanisë u vunë nën hetim dhe disa u arrestuan për evazion fiskal dhe falsifikime, punëtorët e sektorit të hidrokarbureve kanë shpallur një raund të ri protestash.
Protesta e 1 Majit që u tentua të fshihej
Sipas dokumenteve të siguruara nga dosja e Prokurorisë, më 1 Maj 2025 punonjësit e Bankers Petroleum zhvilluan një protestë përballë zyrave të kompanisë, duke denoncuar kushtet e vështira të punës dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Por, përgjimet e përfshira në dosje tregojnë se drejtuesit e kompanisë kanë bërë përpjekje të drejtpërdrejta për të bllokuar pasqyrimin e protestës në mediat kryesore, duke paguar shuma të mëdha parash për të siguruar heshtjen e tyre.
Një nga bisedat e përfshira në dosje, më datë 29.04.2025 mes administratorit të kompanisë, Hongping Xiao, dhe shtetases Laura Dashi, tregon qartë shqetësimin e kompanisë dhe përpjekjen për të penguar publikimin e lajmit.
Tubimet e reja më 5 dhe 6 Shtator
Në këtë klimë tensioni, Sindikata e Sektorit Hidrokarbur ka shpallur organizimin e dy tubimeve të reja proteste më 5 dhe 6 Shtator, nga ora 12:00 deri në 13:00, përballë zyrave të Bankers Petroleum në Marinëz.
Kërkesat e punëtorëve janë të qarta dhe të përsëritura prej vitesh:
- Respektimi i të drejtave të punonjësve;
- Rritja e pagave;
- Zbatimi i kontratës kolektive të punës;
- Përmirësimi i kushteve të punës;
- Njohja ligjore e statusit të naftëtarit.
Një test për median dhe drejtësinë
Sindikata thekson se tubimi i 1 Majit u tentua të fshihet nga opinioni publik, një fakt i cili tashmë është i dokumentuar edhe nga hetimet e Prokurorisë. Tani, mbetet për t’u parë nëse mediat kryesore do të raportojnë protestën e 5 dhe 6 Shtatorit apo do të vazhdojnë të heshtin nën presionin e kompanisë.
“Vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë ballë presionit dhe të arrijmë atë që na takon me të drejtë!”- thuhet në njoftimin e Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur.
Protestat e ardhshme nuk janë thjesht një betejë për pagat dhe kushtet e punës, por edhe një provë për shoqërinë shqiptare, nëse krimi ekonomik dhe korrupsioni në media do të vijojnë të mbulojnë realitetin, apo nëse zëri i punëtorëve do të arrijë më në fund të dëgjohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



