E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Punonjës komunalje”, sherre të forta të Ramës me kryebashkiakët
Lajme

“Punonjës komunalje”, sherre të forta të Ramës me kryebashkiakët

Mbledhja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët socialistë për reformën territoriale është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje mes kreut të qeverisë dhe drejtuesve të disa bashkive që pritet të preken nga riorganizimi i hartës territoriale.

Takimi është zhvilluar në Kuç të Vlorës dhe ka zgjatur rreth katër orë. Në qendër të diskutimeve kanë qenë bashkitë e Poliçanit, Dimalit, Selenicës dhe Divjakës, për të cilat po shqyrtohet mundësia e shkrirjes ose bashkimit me njësi të tjera vendore.

Një nga përplasjet më të forta është regjistruar mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Ky i fundit është larguar nga mbledhja pas debatit me kreun e qeverisë.

Sipas burimeve, Rama i është drejtuar Zotkajt duke i thënë se nuk duhej të ishte fare pjesë e takimit, ndërsa ka kritikuar ashpër edhe protestën e zhvilluar më herët në Poliçan, gjatë së cilës u dogjën teserat e Partisë Socialiste.

“Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie”, mësohet t’i ketë thënë Rama kryebashkiakut të Poliçanit.

Zotkaj, i cili ka kundërshtuar publikisht shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit, i është përgjigjur duke mbrojtur qëndrimin e komunitetit dhe duke e lidhur protestën me pakënaqësinë ndaj qeverisë.

“Komuniteti iu përgjigj veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe kryeministrit. Nëse ka një mosmirënjohje, është ajo e PS-së”, mësohet të ketë deklaruar Zotkaj.

Një tjetër përplasje është shënuar mes Ramës dhe kryetares së Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Gjatë diskutimit për reformën, kryeministri mësohet t’i jetë drejtuar Memajt me ironi.

“Ju udhëheqësit e mëdhenj”, mësohet t’i ketë thënë kryeministri.

Memaj ka reaguar duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen pushteti vendor dhe kompetencat e bashkive.

“Ç’udhëheqës zeza! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje”, i është përgjigjur ajo, duke iu referuar mungesës së kompetencave të pushtetit vendor.

Pas këtij debati, sipas burimeve, Rama ka vendosur që edhe Memaj të largohej nga mbledhja.

Debate janë zhvilluar edhe me kryetarët e Bashkisë së Selenicës dhe Bashkisë së Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea. Të dy kanë kundërshtuar argumentet që lidhen me shkrirjen e bashkive që drejtojnë.

Bello dhe Gorrea kanë mbrojtur qëndrimin se njësitë e tyre vendore kanë kapacitete për të vijuar funksionimin dhe kanë kërkuar që vendimmarrja për hartën e re territoriale të mos mbështetet vetëm në tregues të caktuar ekonomikë apo financiarë.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka pretenduar se drejtuesit e këtyre bashkive po nxisin komunitetet kundër reformës territoriale.

Kryebashkiakët kanë ngritur gjithashtu pretendime për standarde të dyfishta në përzgjedhjen e bashkive që pritet të preken nga reforma.

Sipas tyre, bashki si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci kanë tregues të dobët performance, por pavarësisht kësaj nuk parashikohet që të humbasin statusin e bashkisë.

Gjatë mbledhjes është diskutuar vetëm reforma territoriale dhe mënyra se si pritet të riorganizohet harta e pushtetit vendor.

Ndërkohë, disa bashki, mes tyre Maliqi dhe Këlcyra, nuk kanë shprehur kundërshti ndaj mënyrës se si pritet të pozicionohen në hartën e re territoriale.

Në takimin e zhvilluar në Kuç të Vlorës kanë marrë pjesë kryetarët e bashkive që preken nga ndryshimet e mundshme të hartës territoriale, si dhe kryetarët e bashkive qendër qarku.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.