Punonjësit e Irfan Hysenbelliut pa paga prej muajsh, ndërsa familja pushime luksi

 

| publik.al

Dhjetëra punonjës të grupeve mediatike dhe bizneseve në pronësi të Irfan Hysenbelliut, përfshirë gazetarë, ekonomistë, pedagogë, shoferë dhe sanitare, nuk kanë marrë pagat që nga muaji shkurt 2025. Teksa pronari i tyre shfaqet në rrjete sociale duke kaluar pushime luksoze me familjen në Baku të Azerbajxhanit, punonjësit e tij përballen me kushte ekonomike që po minojnë jetën familjare dhe dinjitetin e tyre profesional.

Punonjës të televizioneve News24, Fax News, të gazetës Panorama, BalkanWeb, radios RASH dhe Universitetit Luarasi, denoncojnë se nuk marrin as pagat zyrtare dhe as “diferencën cash” që zakonisht u jepej në mënyrë informale,  një skemë që shërben për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të zhvlerësuar kontributet e tyre në sigurimet shoqërore.

“Gazetari pa rrogë është skllav i bindur”, thotë një prej tyre për publik.al.
“Na kërkohet të raportojmë për skandale e padrejtësi, ndërsa vetë jemi viktimat e një skeme shfrytëzimi sistematik.”

Situata më dramatike paraqitet në Fax News,  ku studentët mbahen pa pagesë për muaj të tërë dhe më pas zëvendësohen nga të tjerë. Ndërkohë pronari lëviz me Range Rover, ndërsa gazetarët marrin borxh për bukën e gojës.

Edhe pedagogët e Universitetit “Luarasi”, në pronësi të të njëjtit biznesmen, nuk janë paguar, ndërsa ndihen të braktisur dhe të injoruar. “Universiteti mbahet në këmbë nga ne, por përfitimet shkojnë në pushime, makina luksoze dhe Instagram”, thotë një prej tyre.

E njëjta situatë është reflektuar edhe në Birrën Tirana, një tjetër aset që pasqyron krizën financiare të grupit Hysenbelliu. Ndërkohë, djali i Irfanit, Oni, ekspozon jetën e tij ekstravagante në rrjete sociale, pa asnjë ndjeshmëri për krizën e brendshme të grupeve të familjes.

Problemi sistemik i gazetarëve në Shqipëri

Rasti i Hysenbelliut është vetëm maja e ajsbergut. Në pjesën dërrmuese të mediave shqiptare, gazetarët punojnë pa kontrata, pa sigurime, me paga të vonuara ose të manipuluara. Ata mbahen në presion të vazhdueshëm, me vendin e punës të pasigurt, dhe shpesh të detyruar të heshtin për të ruajtur një rrogë që nuk u mjafton as për të mbuluar qiranë.

Shumë pronarë mediash janë njëkohësisht përfitues të tenderëve publikë apo të lejeve të ndërtimit, gjë që i kthen redaksitë në zgjatime të propagandës qeveritare ose të interesave të errëta.

Në vend që të jenë mbrojtës të së vërtetës, gazetarët në Shqipëri janë kthyer në skllevër të një sistemi klientelist dhe të korruptuar, ku informacioni manipulohet dhe e vërteta heshtet për një pagesë që nuk vjen kurrë.

Publikuar nga Publik Media