Pushtetin mund ta kalërojë gjatë edhe miza, por prapëseprapë mizë mbetet!
Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë për lidhjen e popullsisë me sistemet e trajtimit të ujërave të ndotura. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm 12.6% e popullsisë është e lidhur me sisteme ku ujërat e ndotura i nënshtrohen trajtimit biologjik, përpara se të shkarkohen në mjedis. Të dhënat tregojnë gjithashtu një përkeqësim të fortë ndër vite. Nga 33.6% që ishte kjo përqindje në vitin 2018, ra në 30.9% në vitin 2020 duke zbritur në 12.6 % në vitin 2024.
Sipas Eurostatit edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet më poshtë se të tjerët, ndërsa diferenca thellohet me vendet e Bashkimit Europian. Mesatarja e BE-së për popullsinë e e lidhur me sistemet e trajtimit të ujrave të ndotura është 80.7 % ose rreth gjashtë herë më shumë se niveli i Shqipërisë .
Në Greqinë fqinje turistike , treguesi është mbi 95%, ndërsa në Gjermani, Holandë, Austri dhe Danimarkë pothuajse e gjithë popullsia është e lidhur me sisteme që kryejnë të paktën trajtim dytësor.

Këto të dhëna janë alarmante pasi tregojnë mungesën e rrjeteve të padukshme të kanalizimeve, pa të cilat zgjerimi urban është i paqëndrueshëm, edhe zgjerimi i sektorit turistik shkatërrues për mjedisin. Mungesa e kësaj infrastrukture përkthehet në “një masakër mjedisore” pasi lumenjtë, liqenet dhe zonat bregdetare mbeten të vetmet vend-mbledhje të ujrave të ndotura të patrajtuara .
Socialistët që lexojnë të dhënat që publikon Kryeministri Edi Rama, ku Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore sipas raportit ndërkombëtar “Environmental Performance Index 2026” (EPI), shifrat e Eurostatit ndoshta nuk u bëjnë sens , e kush merret me to është vetëm një i mllefosur e dashakeqës .
Por djalli fshihet në detaje.
Mjafton të hapësh të dhënat e detajuara të vetë indexit EPI për të kuptuar se kjo renditje për të cilën u mburr Kryeministri vjen vetëm si resultat i një avantazhi natyror (energjisë së gjelbër prodhuar nga hidrocentralet ) që tejkalon dështimet në çdo sektor tjetër.
Aty duhej të vlerësohej puna e qeverisë siç është trajtimi i ujrave të ndotura edhe në Indeksin EPI Shqipëria zhytet në fundin e renditjes botërore.
Në komponentët që përfshihen në Index EPI Shqipëria ka këto vende në renditje:
-Bujqësia: Vendi i 158-të në botë
-Ujërat e Ndotura: Vendi i 138-të në botë.
-Cilësia e Ajrit: Mbytje nga mikro-grimcat, vendi i 88 -të.
-Biodiversiteti dhe Habitatet: Vendi i 139-të në botë.
-Qëndrueshmëria Ekologjike Bioklimatike Vendi i 118-të
-Zonat e Mbrojtura Vendi i 90.
– Indeksi i Listës së Kuqe për Speciet në Rrezik (Red List Index): Vendi i 103-të .
“E megjithatë deri në 2033 do të jemi në pushtet” është përgjigja e “Zeqineve socialiste” që nuk kanë asnjë mendim mbi shifrat ( argument jo e jo), duke ngatërruar nga padija pushtetin me zotësinë për të bërë gjënë e duhur me të .
Por siç thotë një shprehje e mençur – “kalin e pushtetit mund ta kalërojë gjatë edhe miza, por prapëseprapë mizë mbetet “!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



