E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Puthje dhe betim mes kaosit, Shabani ‘tërbon’ opozitën në Kuvend
Lajme

Puthje dhe betim mes kaosit, Shabani ‘tërbon’ opozitën në Kuvend

Kaos, tensione dhe përleshje fizike shoqëruan seancën e sotme plenare në Kuvend, ku Endrit Shabani u betua si Avokat i Popullit mes fërshëllimave dhe protestave të opozitës.

Që në nisje të seancës, deputetë të Partisë Demokratike bllokuan Foltoren dhe zunë vendet e ministrave në sallën plenare, duke sjellë ndërprerje të punimeve dhe ndërhyrjen e Gardës.

Në sallë u përdorën flakadanë dhe mjete piroteknike, ndërsa deputetët e PD hodhën shishe uji dhe kartonët e votimit. Situata u përshkallëzua në përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve të opozitës, mazhorancës dhe forcave të sigurisë.

Pavarësisht tensioneve, Endrit Shabani u betua si Avokat i Popullit, duke reaguar në mënyrë provokuese ndaj opozitës, madje duke i drejtuar asaj edhe një puthje, gjest që shtoi më tej irritimin në sallë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se po mbron “hajdutët” dhe kërkoi dorëzimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe të Ergys Agasit. Ai paralajmëroi pasoja të rënda ligjore për këdo që, sipas tij, prek deputetët e opozitës.

Në të njëjtën kohë, Berisha deklaroi se deputeti Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, duke theksuar se qëndrimi i tij për bashkëpunimin me krimin mbetet një “vijë e kuqe” e panegociueshme për PD-në.

Seanca u zhvillua mes tensioneve të vazhdueshme, me ndërprerje të shpeshta dhe me një klimë politike të rënduar, duke e kthyer Kuvendin në skenë kaosi dhe përplasjesh të ashpra politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.