Qëllohet me plumb gome Senada Mehmeti gjatë protestës
Gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme para Kuvendit, raportohet se është qëlluar me plumb gome kandidatja për deputete në qarkun e Shkodrës, Senada Mehmeti.
Sipas pretendimeve të përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Mehmeti është goditur gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestuesve. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur ajo ndodhej në rreshtin e parë të tubimit.
“Pa mbaruar ende fjalimin. Kam qenë në rreshtin e parë. U godita nga tarraca e Kryeministrisë, ndoshta. Nga andej ka ardhur goditja”, deklaroi Mehmeti pas incidentit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër, duke theksuar se protestuesit ishin paqësorë dhe se, sipas tij, autoritetet “po kalojnë çdo vijë të kuqe”.
“Protestuesit janë më paqësorë. Këta po kalojnë çdo vijë të kuqe. Do marrin ndëshkim shembullor. Vazhdon protesta. Nuk mbyllet. Kjo protestë shënon një stad krejt tjetër të protestave tona”, u shpreh Berisha.
Policia ka përdorur plumba gome edhe në protestën e sotme, njësoj si më 10 shkurt, kur u raportua për tre protestues të plagosur nga municioni jo-vdekjeprurës.
Protesta para Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe ndërhyrje të forcave të rendit, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



