Qendra Shëndetësore në Fan e mbyllur jashtë funksioni
Qytetari: I afërmi preu këmbën, prej orësh nuk gjen mjek apo infermier
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së Publik.al për të denoncuar mungesën e shërbimit në Qendrën Shëndetësore të Fanit, në Mirditë.
Sipas denoncimit, një i afërm i tij ka prerë këmbën dhe prej disa orësh nuk ka mundur të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pasi në ambientet e qendrës nuk ndodhet askush: as roje, as infermier dhe as mjek.
“Qendra Shëndetësore në Fan rri e mbyllur çdo ditë. I afërmi im ka prerë këmbën dhe ka disa orë këtu, por nuk ka asnjë njeri. As roje, as infermiere, as doktor. Ky është shërbimi që ofron shteti në shëndetësi”, shprehet qytetari në denoncimin e dërguar në redaksinë tonë.
Rasti ngre shqetësime serioze për funksionimin e shërbimit shëndetësor në zonë dhe, mbi të gjitha, për mënyrën se si trajtohen rastet që kërkojnë ndihmë të menjëhershme.
Për banorët e zonave të largëta, një qendër shëndetësore mund të jetë pika e parë dhe shpesh e vetme ku mund të drejtohen në rast urgjence. Gjetja e saj të mbyllur gjatë orarit kur duhet të jetë në funksion mund të rrezikojë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Institucionet përgjegjëse duhet të verifikojnë denoncimin, të sqarojnë orarin dhe personelin që duhet të jetë në shërbim në Qendrën Shëndetësore të Fanit dhe të marrin masa nëse konstatohet mosrespektim i detyrimeve.
Qendrat shëndetësore nuk mund të ekzistojnë vetëm në letra apo në tabela institucionesh. Ato duhet të jenë funksionale dhe në dispozicion të qytetarëve gjatë orarit zyrtar të shërbimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



