Për shkak të mos realizimit të shpenzimeve në 5 muajt e parë të këtij viti dhe për të mbështetur me fonde shtesë sigurinë digjitale dhe sektorin e bujqësisë, qeveria ka rishikuar për herë të dytë buxhetin e shtetit.
Akti normativ ka hyrë në fuqi pasi është publikuar në fletoren zyrtare. Volumi i fondeve të përgjithshme që parashikohen të alokohen apo të rialokohen llogaritet në rreth 11.8 miliardë lekë dhe fokusi do të jetë në mbështetjen e sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike.
AKTI NORMATIV
Siguria digjitale, bujqësia, bizneset e vogla dhe projektet e mbështetura nga BE, do të marrin më shumë para nga buxheti i shtetit në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Akti normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti për herë të dytë, është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe evidentohet fakti se janë rishpërndarë 118 milionë euro në sektorë prioritarë. Përmes këtij rishikimi 5.6 miliardë lekë (56 milionë euro) do të shpenzohen për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme.
Po kështu janë shtuar fondet për skemën e bujqësisë, ku fondi i garancisë sovrane nga 2 miliardë lekë (20 milionë euro) që ishte është rritur me 1 miliardë lekë (10 milionë euro). Pra fermerët dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme do të kenë në total në dispozicion 30 milionë euro garanci sovrane, e cila do tu japë mundësi atyre të marrin kredi me interesa të favorshme pranë bankave të nivelit të dytë. Përpos këtyre ndryshimeve Ministria e Financave thotë se mbetet i pandryshuar deficiti buxhetor prej 68.1 miliardë lekë (681 milionë euro) dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.
Ministria e Financave këtë rishikim e argumenton me nevojën për të kaluar fondet e kursyera nga institucionet në sektorë e fusha të tjera që kanë bërë kërkesa për para shtesë. “Volumi i fondeve të përgjithshme që parashikohen të alokohen apo të rialokohen llogaritet në rreth 11.8 miliardë lekë dhe fokusi do të jetë në mbështetjen e sektorëve prioritarë, por edhe në nxitjen e mëtejshme të investimeve publike”, thotë Ministria e Financave. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti institucionet nuk realizuan 11.7 miliardë lekë (117 milionë euro) shpenzime të planifikuara, pasi investimet u stopuan edhe si rezultat i zgjedhjeve elektorale. Për këtë arsye këto para janë shpërndarë në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Qeveria shton 570 milionë lekë në buxhetin e SPAK
Qeveria ka rritur me 570 milionë lekë buxhetin e Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga më pak se 1.8 miliardë lekë me ndryshimin e buxhetin në 29 prill, buxheti i SPAK është rritur në mbi 2.3 miliardë lekë.
Për mobilimin e zyrave të godinës së re, blerjen e pajisjeve elektronike dhe vendosjen e paneleve diellore në tarracën e ndërtesës, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkoi më shumë se 761 milionë lekë shesë nga arka e shtetit.
Në shkresën drejtuar Ministrisë së Financave më herët, SPAK argumenton se një pjesë e parave nevojiten për vënien në funksion të plotë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Janë më shumë se 250 milionë lekë që sipas vlerësimeve të SPAK duhen kryesisht për infrastrukturën digjitale dhe fizike të Prokurorisë së Posaçme.
AKTI NORMATIV PARASHIKON:
- Rialokim të kursimeve të evidentuara në masën 5.6 miliardë lekë me qëllim për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
- Miratimin e një skeme të re Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.
- Rishpëndarjen e disa fondeve të brendshme, në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike. Pavarësisht këtij rishikimi, një element i rëndësishëm për t’u theksuar është se deficiti buxhetor mbetet i pandryshueshëm, në nivelin rreth 68.1 miliardë lekë dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.