Qori i lë ‘derën hapur’ Shehajt: Nuk bashkëpunoj me Berishën e Lapajn
Kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, ka përjashtuar kategorikisht çdo formë bashkëpunimi me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha apo me nismën “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, madje edhe në kuadër të protestave kundër qeverisë.
Duke folur për situatën politike dhe skandalet që kanë shoqërojnë mazhorancën, Qori theksoi se përgjegjësia kryesore për gjendjen aktuale i takon kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij duhet të largohet nga drejtimi i vendit. Ai e përshkroi sistemin politik në Shqipëri si të konsumuar dhe pa aftësi për të prodhuar ndryshim real.
Sipas Qorit, fuqia politike e Ramës lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një reagimi të fortë shoqëror, ndërsa institucionet kanë dështuar të mbajnë përgjegjësi për abuzimet e pushtetit. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se Kuvendi duhej të kishte marrë vendime më të ashpra, përfshirë edhe largimin e kryeministrit.
Lëvizja Bashkë, sipas tij, do të vijojë protestat në mënyrë të rregullt, duke zgjedhur Kuvendin si vendin kryesor të tubimeve. Qori argumentoi se ky institucion përfaqëson sovranitetin e qytetarëve dhe për këtë arsye deputetët duhet të mbahen drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet dhe vendimet e tyre.
Duke iu referuar protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 22 dhjetor dhe thirrjeve për tubime të tjera, Qori u shpreh se besueshmëria e një proteste varet nga integriteti moral i atij që e thërret. Sipas tij, pa këtë element, çdo thirrje rrezikon të mbetet pa mbështetje reale qytetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



