E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qori kundër bashkimit të opozitës: Nuk dal në protestë me të korruptuarit
Lajme

Qori kundër bashkimit të opozitës: Nuk dal në protestë me të korruptuarit

Nisma e re e analistit Ermal Hasimja për krijimin e një forumi dialogu politik, që synon afrimin e forcave opozitare, po përballet me refuzime të forta nga disa aktorë politikë. Një prej tyre është kryetari i Partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, i cili e konsideron të pamundur çdo formë bashkëpunimi me partitë tradicionale opozitare.

Në një deklaratë për “A2 CNN”, Qori sqaroi se qëndrimi i partisë që drejton buron nga mospërputhje të thella morale dhe politike, veçanërisht me Partinë Demokratike dhe figurat kryesore të saj. Sipas tij, bashkimi në një aksion të përbashkët politik do të ishte i pakuptimtë dhe i papranueshëm.

Ai theksoi se “Lëvizja Bashkë” e ka refuzuar edhe më herët idenë e një bashkimi formal të opozitës, të propozuar sipas tij disa herë nga Sali Berisha. Qori argumentoi se papajtueshmëria kryesore lidhet me çështjen e korrupsionit dhe integritetit moral.

Sipas tij, partia që ai drejton përbëhet nga individë që jo vetëm nuk janë të përfshirë në korrupsion, por as nuk mund të korruptohen. Për këtë arsye, ai e konsideron absurde çdo përpjekje për bashkëpunim me subjekte politike apo figura që, sipas tij, janë të akuzuara apo të dënuara për korrupsion.

Qori solli si shembull paradoksin e një proteste të përbashkët, ku do të përziheshin thirrje për lirimin e politikanëve të akuzuar, duke theksuar se një qëndrim i tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me parimet e “Lëvizjes Bashkë”. Ai shtoi se, në këndvështrimin e tij, drejtësia duhet të veprojë njësoj për të gjithë, pa përjashtime politike.

Një tjetër pikë e fortë dallimi, sipas Qorit, lidhet me raportin ndaj oligarkëve dhe reformës në drejtësi. Ai akuzoi partitë e mëdha se, pavarësisht retorikës publike, nuk kanë një kundërshti reale dhe strategjike me njëra-tjetrën, por ndajnë interesa të përbashkëta në dobësimin e institucioneve dhe të reformës në drejtësi.

Sipas tij, si mazhoranca ashtu edhe opozita tradicionale kanë interesa të përbashkëta për të ndryshuar ligjet e reformës në drejtësi, në mënyrë që të vështirësohet ndjekja penale e politikanëve dhe personave me pushtet.

Qori theksoi gjithashtu se “Lëvizja Bashkë” dallon thelbësisht nga partitë e tjera për qëndrimet ndaj pasurive kombëtare. Ai përmendi rastet e Sazanit dhe Zvërnecit, duke akuzuar qeverinë për shitje ose dhënie me kushte të favorshme të aseteve strategjike, në dëm të interesit publik dhe sovranitetit kombëtar.

Po ashtu, ai kritikoi ndërtimin e kampeve të refugjatëve nga qeveria italiane në territorin shqiptar, duke e cilësuar këtë si një cenim të sovranitetit shtetëror, pasi në këto zona, sipas tij, nuk zbatohet ligji shqiptar. Qori shtoi se mungesa e reagimit nga partitë e tjera për këtë çështje e thellon edhe më shumë diferencën politike mes tyre.

Në përfundim, kreu i “Lëvizjes Bashkë” theksoi se për shkak të dallimeve të thella ideologjike, morale dhe politike, partia që ai drejton nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni apo platforme të përbashkët opozitare, pavarësisht emërtimit apo formatit që mund t’i jepet asaj.

“Kjo është një tezë që ka kohë që hidhet. Është iniciuar disa herë nga zoti Berisha për bashkimin formal të opozitës dhe mua më është dashur disa herë ta hedh poshtë këtë ftesë për një varg arsyesh.

Arsyeja e parë ka të bëjë një papajtueshmëri të thellë morale midis “Lëvizjes bashkë” dhe elitës drejtuese të PD-së, duke nisur nga Sali Berisha.

Ne jemi fund e krye kundër korrupsionit edhe mund të duket kështu si vetë lavdërim, por “Lëvizja bashkë” përbëhet edhe nga njerëz që janë jo vetëm të pakorruptuar, po edhe të pakorruptueshëm.

Në këtë kuptim, nuk do kishte sens që ne të bashkoheshim me një aksion politik me përfaqësues të partive që jo vetëm njihen botërisht si të korruptuar, por janë në këto momente që flasim, janë të pandehur për korrupsion ose janë në burg për korrupsion.

Imagjinoni sa absurde do të ishte që ne të dilnim të gjithë bashkë në një protestë dhe gjysmën e kohës të thoshin “free Ilir Meta”, “free Sali Berisha”. Tani këta, o duhet të shkojnë të gjithë në burg, o duhet t’i rrijnë të gjithë në liri.

Qëndrimi im është që duhet të jenë të gjithë në burg, e në qoftë se unë mendoj që Ilir Meta është mirë aty ku është, unë nuk kam si të bashkëpunoj me partinë e Ilir Metës, në qoftë se unë mendoj që Sali Berisha e ka vendin në burg, një lloj siç mendon edhe SPAK-u në akuzat që ka nxjerrë, unë nuk mund të ndaj të njëjtën platformë, të njëjtin aksion politik.

Me Sali Berishën, një papajtueshmëri e dytë ka të bëjë me pjesën e dytë dhe shumë pak të folur të atyre që janë përgjegjës për korrupsionin, pra për korruptuesit, për oligarkët. Partitë e tjera politike në Shqipëri ose mendojnë që nuk ka fare oligark, ose mendojnë që i vetmi oligark është Edi Rama.

PD-ja me Edi Ramën nuk është kundërshti e plotë, nuk është kundërshti strategjike. Ata janë praktikisht bashkë, duke u përpjekur nën rrogozë që të. Ristrukturojnë institucionet për keq dhe ligjet themelore të vendit, sepse kanë interesat përbashkët.

Edhe Edi Ramës dhe Sali Berishës i intereson shkatërrimi i reformës në drejtësi, ose të paktën ndryshimi i ligjeve të reformës në drejtësi, që do ta bënin më të vështirë për ndjekjen ligjore të rregullt të politikanëve apo njerëzve me pushtet, ashtu sikundër u intereson nga pikëpamja elektorale që sistemi i ardhshëm zgjedhor të jetë.

Ne kemi një dallim të fortë me Ramën, me Berishën dhe në përgjithësi me partitë e tjera politike në Shqipëri.

Asnjë parti tjetër sot Shqipëri nuk e vë gishtin plagë mbi shitjen e pasurive kombëtare si Sazani apo Zvërneci, që po jepen, po falen ose po jepen për dy lekë, në mënyrë që Edi Rama të rregullojë marrëdhëniet e tij me administratën amerikane.

Jemi kundër shitjes së pasurive kombëtare, jemi kundër instrumentalizimit të pasurive kaq të rëndësishme kombëtare. Vetë sovraniteti i Republikës së Shqipërisë për hallet e ditës së politikanëve, sikundër kemi qënë dhe vazhdojmë të jemi kundër kampeve të refugjatëve të ndërtuara nga qeveria italiane në Shqipëri, të cilat cënojnë sovranitetin territorial të Republikës Shqipërisë. Dua t’ju kujtoj që në ato kampe nuk zbatohet ligji shqiptar dhe mua më vjen keq po nuk kam dëgjuar ndonjë parti tjetër që të mbajë qëndrim për to.

Përveç qëndrimit për oligarkinë që kemi standard dhe sigurisht të ideve të tjera si drejtat në punë e një varg të tjera politikash ekonomike dhe sociale që na dallojnë fort. Prej partive të tjera, për të gjitha këto arsye, lëvizja bashkë nuk mund t’i bashkohet asnjë lloj koalicioni apo nuk e di si ta vëmë emrin që përfshin”, tha Qori për “A2 CNN”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.