E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qori, Lapaj dhe Shehi i përgjigjen ftesës së PD për Tiranën
Lajme

Qori, Lapaj dhe Shehi i përgjigjen ftesës së PD për Tiranën

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, së bashku me Adriatik Lapajn nga “Shqipëria Bëhet” dhe Dashamir Shehin nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, kanë dhënë qëndrime të ndryshme për propozimin e Belind Këlliçit për një front të përbashkët opozitar në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës.

Qori ka qenë i qartë në refuzimin e çdo lloj bashkëpunimi me Partinë Demokratike apo me grupime të tjera që, sipas tij, përfaqësojnë sistemin politik ekzistues. Në një intervistë për “NewsRoom” në A2 CNN, ai theksoi se Lëvizja Bashkë është e vetmja forcë që përballet me të gjitha mjetet kundër qeverisë së Edi Ramës dhe sistemit politiko-oligarkik në vend. Për këtë arsye, Qori konfirmoi se do të garojnë më vete në këto zgjedhje, me kandidatin e tyre.

Ndërkohë, Dashamir Shehi u shpreh më fleksibël, duke e kushtëzuar mundësinë e një bashkimi me përzgjedhjen e një kandidati që gëzon respekt dhe mbështetje të gjerë. Ai theksoi se është i gatshëm të mbështesë një figurë me integritet moral dhe politik, por jo një emër të vendosur thjesht për interesa politike të ngushta.

Nga ana e tij, Adriatik Lapaj la të kuptohet se po shqyrton opsionin e bashkëpunimit me opozitën tradicionale, por shprehu rezerva për mënyrën se si është trajtuar më parë iniciativa e tij për bashkim. Ai theksoi se sfida e vërtetë nuk është thjesht Bashkia e Tiranës, por ndryshimi i sistemit që mban në fuqi pushtetin aktual.

Qori: “Unë nuk mendoj se ka opozitë në Shqipëri, në kuptimin e një përbashkësie partish që i kundërvihen me ndershmëri një mënyre qeverisjeje. Opozita e mirëfillt, e vërtetë, jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër krejt establishmentit politkiko-oligarkik në Shqipëri, është Lëvizja Bashkë dhe për të gjitha këto arsye, Lëvizja Bashkë do të garojë si parti me kandidatin e vetë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, kurdo që ato të mbahen”.

Shehi: “Ore unë do isha i lumtur të mbërrihej kjo punë dhe me atë gjënë time modeste po mundohem, të paktën me ndonjë ide. Varet nga personazhi që duan të vënë. Po u vu ndonjë djalë që tërheq, që ka një prestigj moral e politik, unë do i shkoja mbrapa me shumë kënaqësi. E kemi bërë këtë punë kur ka qenë Doktor Kosova dhe të tjerë dhe nuk ka qenë pa sukses fare. Por varet tani, nëse grupi i Berishës duan të vënë ndonjë nga ato që rrinë aty përqark, që nuk kanë hall të fitojnë zgjedhjet, por kanë hall që të përfaqësohen këto…”.

Lapaj: “Po diskutojmë me të gjitha strukturat tona dhe do të kemi një mendim zyrtar për këtë gjë, por bashkimi duhej kundër sistemit. Ju e mbani mend para zgjedhjeve që i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithëve dhe mora baltë dhe sulm nga pas, deri te tradhtia. Por kush ishte më e rëndësishme, të çahej sistemi dhe të luftohej Edi Rama, apo të luftohet për Bashkinë për një vit që është mandati aty. Si mund ta fitosh bashkinë ti, duke pasur në qeveri atë aty. Tani do flasim të vërtetën?”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.