E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qori me ‘impiant gazi’: Do e bëj fushatën me urban dhe biçikletë
Lajme

Qori me ‘impiant gazi’: Do e bëj fushatën me urban dhe biçikletë

Kandidati i Lëvizjes Bashkë për bashkinë e Tiranës, Arlind Qori, ka folur mbrëmjen e djeshme për strategjinë e fushatës së tij elektorale dhe planet nëse do të fitojë zgjedhjet.

Qori njoftoi se në zonat brenda Tiranës, fushata do të zhvillohet kryesisht në këmbë, me biçikleta dhe transport urban, ndërsa për zonat më të largëta do të përdoren edhe automjetet. Ai theksoi angazhimin për të shkuar personalisht te dera e çdo qytetari, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike.

“Unë kurrë nuk do të jap një rezultat të përcaktuar paraprakisht, sepse kjo është ofenduese për qytetarët. Brenda Tiranës, do ta zhvillojmë fushatën në autobusë, në këmbë dhe me biçikleta. Në zonat më të largëta do të përdorim makinën. E njoh qytetin tim pëllëmbë më pëllëmbë, sepse vetë do të jem i pari që do ta udhëheq fushatën.

Do t’i biem dyerve dhe do të krijojmë kontakt njerëzor. Ne jemi e vetmja parti që i ftojmë qytetarët të na njohin sa më shumë, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur. Do të shfrytëzoj çdo rast, si në media ashtu edhe në terren, për t’u njohur më mirë. Do të kërkojmë votën e çdo qytetari, pa dallim bindjesh partiake,” deklaroi ai.

Sa i përket stafit të bashkisë, Qori siguroi se nuk do të bëjë ndryshime të menjëhershme dhe nuk ka dhënë premtime për vende pune në këmbim të votës.

“Në Shqipëri duhet të marrë fund praktika ku kush vjen në punë sjell stafin e vet dhe shkarkon të tjerët. Nëse njerëzit punojnë me ndershmëri, do të qëndrojnë në punë. Për dy vite fushatë, nuk i kam premtuar asnjë mbështetësi vend pune,” tha ai.

Gjithashtu, kandidati bëri të ditur se Lëvizja Bashkë do të përqendrojë të gjitha forcat vetëm në bashkinë e Tiranës, duke mos kandiduar në bashki të tjera.

“Duke qenë se zgjedhjet janë vetëm për kryetar bashkie, do të mbledhim të gjitha forcat tona për Tiranën. Në këtë përballje me PD dhe PS, ne do të përqendrohemi strategjikisht vetëm në kryeqytet,” përfundoi Arlind Qori.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.