Qyno zbardh detaje të reja: SPAK ka në duar 130 e kusurë video
Gazetari investigativ Elton Qyno ka bërë publike detaje të reja nga dosja e AKSHI-t, e cila po hetohet nga SPAK, duke zbuluar një pjesë të përgjimeve që përbëjnë thelbin e kësaj çështjeje të bujshme.
Sipas hetimeve, rezulton se Ergys Agasi kishte instaluar pajisje të posaçme regjistrimi në ambientet e zyrës së tij, duke përgjuar takimet që zhvilloheshin aty. Këto regjistrime janë sekuestruar dhe aktualisht janë nën analizë nga organet e drejtësisë.
Qyno bëri me dije se bëhet fjalë për mbi 130 video-përgjime, të cilat SPAK po i verifikon dhe po i shqyrton një e nga një.
“Është një dosje në zhvillim e sipër dhe pritet që të përfshijë edhe zyrtarë të tjerë të administratës shtetërore. Ajo që të habit është qëllimi i kësaj pajisjeje përgjuese, pasi duket se janë regjistruar pothuajse të gjitha takimet. Janë mbi 130 video të rikuperuara dhe tashmë janë marrë në administrim nga SPAK,” – u shpreh Qyno.
Ai shtoi gjithashtu në emisionin “Top Story”, se në praktikën e dosjeve penale, pjesët e censuruara me pika shpesh lidhen me fjalor banal apo me emra personash që, për arsye hetimore, nuk bëhen publikë nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi mbetet i hapur dhe pritet që nga analiza e këtyre përgjimeve të dalin në dritë elementë të rinj, që mund të zgjerojnë më tej rrethin e personave të përfshirë në këtë aferë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



