Pas Ballukut dhe Manastirliut, edhe Blendi Gonxhe pastron makinën me tender Larje luksi për xhepin e publikut
Publik.al | Investigim | Qershor 2025
Pasi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u kap në tendera për larje makinash me 10 mijë euro në muaj dhe Ogerta Manastirliu ndiqte të njëjtën praktikë luksi në sektorin e Arsimit, radhën për t’u zbuluar e ka marrë Blendi Gonxhe, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Institucioni që ai drejton ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë të vogël për… “shërbim lavazh makinash”.
Tender për lavazh me luksin e një flotë makinash luksoze
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Publik.al, bëhet fjalë për një procedurë prokurimi të planifikuar më 5 qershor 2025, me objektin:
“Shërbim lavazh i automjeteve të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”.
Flota përfshin makina të rangut të lartë si:
- Volvo XC90 – 15 larje në muaj
- Land Rover Discovery, Volkswagen Touareg, Toyota Rav4, Volvo EX30 Elektrik, Skoda Octavia, dhe Renault Traffic – me 7 larje në muaj secila
Në total: 70 larje mujore, për 10 automjete, pa përfshirë larjet e tapicerive.
Sa kushton një larje? Dhe pse 15 herë në muaj?
Nëse çdo automjet lahet 7 herë në muaj, përveç Volvo XC90 që lahet 15 herë – kjo përkthehet në:
- 15 larje x 7 muaj = 105 larje për një makinë të vetme
- 7 larje x 9 makina x 7 muaj = 441 larje të tjera
Shtuar këtu janë edhe 10 larje tapicerie, një për secilën makinë.
Totali: 556 larje + 10 tapiceri = 566 shërbime në 7 muaj.
Nëse çdo larje mesatarisht kushton rreth 1,500 – 2,000 lekë, dhe një larje tapicerie arrin edhe në 10,000 lekë, kostoja e përgjithshme e tenderit kap shifra të konsiderueshme për një “shërbim luksi” që në çdo rast mund të mbulohej me karta karburanti ose shërbime më ekonomike.
A është kjo prioriteti i inovacionit?
Ironikisht, ky tender bëhet nga një ministri që mban në emër fjalën “inovacion”, por që aplikon praktika të vjetra dhe të kritikuara për shpërdorim të parave publike.
Ministria e Gonxhes nuk ka bërë publike as një analizë nevoje, as një dokument shpenzimi alternativ, as ndonjë sqarim se pse një makinë qeveritare ka nevojë për t’u larë çdo dy ditë, dhe pse taksapaguesit duhet të mbulojnë këtë shërbim “kozmetik”.
Tendera për larje, një trend i klasës qeveritare te qeverisë Rama
Ky nuk është rasti i parë që qeveritarët shpenzojnë mijëra euro për t’i “shkëlqyer” makinat e tyre zyrtare:
- Belinda Balluku shpenzonte mbi 800 euro në muaj për larje makinash, vetëm në një institucion në varësi.
- Ogerta Manastirliu ndiqte të njëjtin model në Ministrinë e Arsimit.
- Tani edhe Blendi Gonxhe, përmes një tenderi të heshtur, vijon të njëjtën praktikë luksi.
Pyesim: Kush i lë pa larë makinat kur populli lahet në borxhe?
Në një vend ku qindra shkolla nuk kanë ende banjo funksionale, spitale të shkatërruara, dhe studentët pa laboratorë, qeveria bën lavazh makinash me tender publik. Ky është ilustrimi më brutal i prioriteteve të përmbysura: lavazh për Volvo-n e ministrit, por jo ujë të ngrohtë për klasën e parë të një fshati në Dibër.