Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku morën pjesë ditën e sotme në hapjen e Unazës së Madhe të Tiranës.
Projekti i cili synon të lehtësoj trafikun brenda Tiranës, ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Shpejtësia e lejuar mësohet se do të jetë 140 km/h.
Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.
Unaza e madhe është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do të çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi, sipas Ballukut.
“Jemi në momentin e hapjes së segmentit të Unazës Veriore, për të plotësuar 29 kilometra të plota që rrethojnë kryeqytetin. Duke nisur nga ky moment, është e gjitha e aksesueshme. Pjesa e unazës veriore ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre, duke pasur parasysh që kemi pasur një zonë të banuar informale dhe na është dashur të spostojmë mbi 654 ndërtesa. Kemi ende disa detaje të vogla, që mbarojnë brenda janarit“, tha zëvdendëskryeministrja.
Edhe kryeministri theksoi se ky projekt do t’i japë frymë Tiranës dhe do ta çlirojë kryeqytetin nga trafiku.
“Hapet Unaza e Madhe e Tiranës, projekti më i madh infrastrukturor në historinë e kryeqytetit, i finalizuar brenda afateve të premtuara, që do të çlirojë kryeqytetin nga trafiku, dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi duke rritur vlerën e pronës, dhe zhvillimin e bizneseve të reja. Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 29 kilometrash të gjatë që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare, e që i paraprin sfidës së radhës bypassit të Elbasanit”, nënvizon Rama.