E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama, Frida Krifca dhe fermeri nga Divjaka përballë Ballukut
Lajme

Rama, Frida Krifca dhe fermeri nga Divjaka përballë Ballukut

Kur propaganda përplaset me baltën

Nga njëra anë, fermeri i përmbytur, i lodhur, pa subvencione reale, pa treg, pa siguri për prodhimin e radhës. Nga ana tjetër, kryeministri i fjalimeve të gjata, gojëmjalti dhe servili i salloneve gjeopolitike të botës dhe i premtimeve për vitin 2040. Shoumeni bajat i shfaqjeve mediatike, që nuk gjeti durimin të dëgjojë as disa minuta një njeri që jeton me baltë në çizme.

Pamjet e takimit treguan qartë diferencën mes pushtetit që flet dhe qytetarit që kërkon të dëgjohet. Fermeri tentoi të shpjegojë hallin e tij. Kryeministri e ndërpreu. Toni u ashpërsua. Mesazhi ishte i qartë: kur flet lideri suprem i pushtetit, qytetari hesht dhe vetëm dëgjon.

Kjo sjellje bëhet edhe më e rëndë kur në krah të kryeministrit ishte zv/kryeministrja e pandehur Balluku, me disa akuza dhe me rrugë e tunele të pasigurta, edhe pse janë harxhuar miliarda euro për ndërtimin e tyre. Kontrasti bëhet absurd, jo vetëm me stilin e jetesës që i atribuohet elitës qeveritare: luks, udhëtime, evente ndërkombëtare, ambiente zyrash të rikonstruktuara me kosto të larta, një distancë gjithnjë e më e madhe nga realiteti rural. Edhe nëse një pjesë e këtyre janë ekzagjerime politike apo simbolika mediatike, perceptimi publik është tashmë i formuar: ata jetojnë lart, fermerët fundosen poshtë në përmbytje dhe baltë.

Ndërkohë që bujqësia shqiptare është në krizë të heshtur, subvencionet janë ndër më të ulëtat në rajon. Skemat korruptive dhe burokratike prej vitesh kanë pamundësuar fondet dhe donacionet për fermerin e vogël. Programet europiane si IPARD u vodhën dhe u shpërdoruan nga ish-ministrja Frida Krifca me shokë e shoqe, me kallëzime në SPAK për abuzime dhe mungesë transparence, duke sjellë pasoja serioze për besueshmërinë e sistemit dhe duke stopuar fondet për fermerët dhe bujqësinë. Sot BE ka bllokuar qindra milionë euro financime për shkak të korrupsionit të qeverisë Rama. Fermeri i Divjakës nuk di të flasë për gjeopolitikë dhe për Gazën. Ai flet për farën, naftën, serën dhe tregun. Për gjërat bazë që një shtet normal duhet t’ia garantojë. Fermeri nga Divjaka ka dëgjuar për e-Albania-n, por nuk di ta përdorë; ka dëgjuar për bëmat e “Diella”-s me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn, por nuk e koncepton dot sa qindra milionë euro janë vjedhur poshtë fustanit të saj.

Ndërsa kryeministri i përgjigjet me ironi, nervozizëm apo me leksione për të ardhmen, me zëvendësen e tij të pandehur nga drejtësia në krah, rebusi i të ardhmes së fakirit fermer bëhet edhe më i ndritur.

Shqipëria reale nuk jeton në konferenca, por në ara të përmbytura. Nuk matet me fjalime vizionare, por me sa prodhim shitet dhe sa familje mbijetojnë nga toka. Dhe sot, në Divjakë, u pa qartë se sa pak hapësirë ka mbetur për zërin e atij që prodhon ushqimin e këtij vendi.

Ky kryeministër që tallet dhe nuk e dëgjon fermerin, ka ikur në drejtim të paditur!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.